Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, pas rreth shtatë muajsh në krye të institucionit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kupi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka renditur disa nga prioritetet e punës së tij dhe ka falënderuar Ministrinë e Drejtësisë për besimin dhe bashkëpunimin.

Në reagimin e tij, Kupi shkruan se periudha në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve nuk ka qenë e lehtë, për shkak të problematikave që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimeve të vështira që duhej të merreshin.

Ai thekson se gjatë këtyre muajve puna e tij është përqendruar te forcimi i sigurisë, përmirësimi i administrimit dhe modernizimi i sistemit penitenciar, duke vënë në dukje gjithashtu rëndësinë e profesionalizmit të punonjësve dhe përmirësimit të kushteve për personat që vuajnë dënimin.

“Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë”, shkruan Kupi, duke shtuar se është përpjekur t’i dëgjojë kritikat, edhe kur ka qenë e vështirë, ndërsa për disa çështje të tjera shprehet se “koha do të flasë më qartë”.

Në mesazhin e tij të largimit, ai falënderon ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, drejtuesit dhe punonjësit e sistemit penitenciar, si dhe bashkëpunëtorët që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.

Adriatik Kupi mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve në prill të vitit 2026. Deri tani, në deklaratën e tij publike, ai nuk ka dhënë një arsye konkrete për vendimin për t’u larguar nga detyra.

Postimi i plotë:

Pas shtatë muajsh në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kam vendosur të jap dorëheqjen nga kjo detyrë.
Për mua kjo nuk ishtë një përiudhë e lehtë, pasi kishte probleme që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme, vendime të vështira që duheshin marrë dhe përgjegjesi që nuk mund të shtyheshin as me minuta. Jam përpjekur t’i përballoj me angazhim maksimal, duke pasur gjithmonë parasysh njerëzit dhe institucionet për të cilat mbaja përgjegjësi.
Gjatë këtyre muajve, puna ime është përqendruar në forcimin e sigurisë, përmirësimin e administrimit dhe modernizimin e sistemit penitenciar. Përparësi kanë qenë rritja e përgjegjshmërisë, mbështetja e profesionalizmit të punonjësve dhe përmirësimi i kushteve të trajtimit të personave që vuajnë dënimin.
Besoj se një sistem penitenciar modern matet edhe me mënyrën se si i trajton njerëzit, me respektimin e të drejtave të tyre, me transparencën dhe me mundësitë reale që u jep për t’u rehabilituar e për t’u rikthyer në shoqëri. Kjo ka qenë bindja që më ka udhëhequr në këtë detyrë.
Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë.
Kritikën jam përpjekur ta dëgjoj, edhe kur ka qenë e vështirë. Përballë pengesave, kemi vazhduar të punojmë. Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot.
Sot largohem me mirënjohje për të gjithë ata që punuan me mua, që ndanë përgjegjësitë dhe që i qëndruan pranë kësaj pune deri në fund. E di se sa përkushtim kërkon puna e përditshme në këtë sistem dhe e vlerësoj kontributin e secilit.
Falënderoj Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë të veçantë ministrin Z. Toni Gogu për besimin dhe bashkëpunimin, drejtuesit dhe punonjësit e sistemit penitenciar, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët, për mbështetjen dhe kontributin gjatë kësaj periudhe.
Largohem nga detyra me respekt për përgjegjësinë që më është besuar dhe me dëshirën që puna e nisur të vijojë në shërbim të një sistemi penitenciar më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb