Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka shkarkuar nënkryetaren Sara Goxhaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alban Dokushi. BalkanWeb ka siguruar 2 vendimet e firmosura nga Ristani një ditë më parë, 20 mars.
Lëvizjet vijnë një ditë pasi u bë publike shkresa e kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, ku me një vendim të firmosur nga qelia i delegonte kompetencat Sara Goxhajt, duke shkarkuar Anuela Ristanin.
Urdhri i Veliajt mbante datën 18 mars 2025. Nga qelia, kryebashkiaku i Tiranës emëroi Goxhajn si kryetare të komanduar. Por dje në mesditë Veliaj tërhoqi vendimin duke lënë në fuqi urdhrin e mëparshëm që i delegonte kompetencat Anuela Ristanit. Vendimin e tij Veliaj e konsideroi si keqkuptim të ardhur si pasojë e mungesës së informacionit për shkak të izolimit me urdhër të SPAK.
Ndërsa nga ana tjetër burimet pohojnë një përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe Erion Veliajt, për drejtimin e Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, Alban Dokushi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme të martën ku u pyet lidhur me çështjen hetimore të Erion Veliajt.
(BalkanWeb)
