Ndërron jetë akademiku i njohur shqiptar, Rexhep Qosja. Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta në moshën 89-vjeccare e ka dhënë nipi i tij, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Mësohet se Qosja është përcjellë për në banesën e fundit pa zhurma dhe ceremoni institucionale, amanet që siç duket akademiku e kishte dhënë për familjarët më herët.

Këta të fundit kanë plotësuar dëshirën e fundit të akademikut, duke organizuar një ceremoni të ngushtë familjare, për të çuar në vend amanetin e lënë.

Rexhep Qosja, një mendje e ndritur e kombit shqiptar, la pas vepra dhe mendime të vyera që do të shërbejnë brez pas brezi.

Postimi:

Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja.
Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.
Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja.
Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale.
Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na
mundësohet të mbajmë zi në qetësi!

Kush ishte Rexhep Qosja!

Qosja u lind më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, ku e kreu shkollën fillore, para se të shpërngulej në Kosovë, ku e mbaroi shkollën normale në Prishtinë në vitin 1959, ndërsa më 1964 i përfundoi studimet në Degën e Gju­hës dhe të Letërsisë Shqipe të Fa­kultetit Filozofik të Prishtinës.

Gjatë viteve 1967-‘68 specializoi shkencën e le­tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Univer­sitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit.

Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Al­banologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981.

Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike.

Ai gjithashtu ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Qosja ishte marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë.

Ai ishte kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, si dhe anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni.

Po ashtu, më 2000 ai shërbeu si anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës ndërkohë që kryeadministrator i Kosovës ishte Bernard Kushner.

Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: