5 humbje radhazi në Premier League, për më tepër pa shënuar asnjë gol, duke thyer një rekord negativ 102 vjeçar, detyruan drejtuesit e Chelsea-t të shkarkonin Liam Rosenior pas vetëm 106 ditësh në krye të ekipit. Në Angli, kjo lëvizje konsiderohet nga mediat si një tjetër dështim epik, pasi Rosenior është trajneri i 10-të në krye të Chelsea-t në 10 vitet e fundit.

I afruar gjatë janarit, Rosenior shihej si e ardhmja e klubit, për këtë arsye firmosën një kontratë të vlefshme deri në 2032, një kontratë me terma afat gjatë, por që zgjati diçka më shumë se 3 muaj. Tani Chelsea është i detyruar t’i paguajë 24 milionë paund dëmshpërblim teknikun londinez për këtë shkarkim të papritur.

Në Angli, mediat shkojnë edhe më tej duke bërë përgjegjës drejtuesit e klubit të cilët vetëm në 5 vitet e fundit kanë investuar 1,7 miliard euro në tregun e transferimeve, por pa mundur të fitojnë asnjë trofe të rëndësishëm.

Në kushte të tilla, te Chelsea janë të detyruar t’i bëjnë llogaritë edhe një herë nga e para. Në përpjekje për të fituar pak kohë, ekipin deri në fund të sezonit do ta drejtojë trajneri i ekipit U-21.

Në raste të tilla, në media kanë filluar të qarkullojnë edhe emrat e parë për sezonin e ri. Për momentin, dy janë preferencat e para, Xabi Alonso dhe një ish i famshëm si Cesc Fabregas.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb