TIRANE– Kryeministri Edi Rama është takuar ditën e sotme me eksportuesit e mëdhenj në vend. Gjatë një bashkëbisedimi me ta, kreu i Qeverisë është ndalur tek zhvillimet kryesore në vend sa i takon situatës ekonomike. Rama tha se aksioni i anti-informalitetit është në një fazë të re.

Kryeministri Rama ka theksuar se për vitin 2015 eksportet kanë shënuar rritje.

“Për ne është themelore që të shfrytëzojmë çdo mundësi dhe të identifikojmë çdo rrugë për të mbështetur prodhimin industrial dhe prodhimin për eksport, pasi jemi të bindur se kjo është një kolonë shumë e rëndësishme për të ndërtuar Shqipërinë që duam. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë tuaja, dhe kjo e rrit edhe më shumë përgjegjësinë tonë, pasi një sërë çmimesh në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rënie të ndjeshme, dhe jo vetëm sektori i lëndëve minerare dhe djegëse. Nga ana tjetër ne jemi të inkurajuar nga shifrat e tjera, që flasin për rritjen e eksporteve me 5.2 në 2015, krahasuar me një vit më parë. Kjo është një e dhënë domethënëse që flet për rimëkëmbjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të ekonomisë, por edhe për një potencial të madh. Ne jemi të vendosur për të mbështetur industrinë. Jemi të vetëdijshëm se ka ende shumë mundësi për produktet ushqimore. Produktet e bulmetit janë rritur ndjeshëm me 582 %, po kështu prodhimet e tjera bujqësore, fruta dhe perime me 133 %, krahasuar me një vit më parë. Shqipëria hyn ndër vendet me eksporte të rritura, dhe ka eksportet më të larta në rajon. Edhe eksportet me Kosovën janë më të larta se asnjëherë, dhe janë rritur vit pas viti”, tha kryeministri Rama.

Nga ana tjetër kreu i Qeverisë teksa kërkoi mirëkuptimin e eksportuesve, pohoi se nuk do të ketë më vizita abuzive të tatimorëve tek biznesi.

“Në jemi me legjitimitet të plotë, krenar për roli që kemi luajtur dhe se kemi hedhur një hapur një rrugë që i çel një sipërmarrje prodhuese, import-eksport. Eksportet e Shqipërisë drejt BE mbeten sot që flasim 40 për qind nën potencialin që kemi mundësi të shfrytëzojmë. Këtu lind domosdoshmëria se çfarë mund të bëjmë ne për të ndihmuar që të sofistikohemi që të shumlloshmërojmë produktet. Ju e njihni më mirë sesa ne tregun rajonal, por besojnë se mund të na jepni një ndihmë të konsiderueshme në identifikimin e të gjitha mundësive që ne kemi për t’ju mbështetur Ju jeni dëshmitar të qasjes së re tatimore, duke i dhënë fund vonesave, ka dhënë efekte pozitive dhe të shëndetshme në raport të biznesit me shtetin.”, tha Rama. Ai deklaroi se faza e re e aksionit që po ndërmerr qeveria do të sjell një situatë të re.

“Përdorimi i TVSH-së së papaguar për të paguar detyrimet e tjera tatimore, që është përdorur nga ju dhe ka rezultuar pozivit, kemi hyrë në një fazë të re. Dua t’ju kërkoj mirëkuptim për çdo shfaqje dhe çdo rast kur kontrollet nuk janë në lartësinë e duhur për nga etika, shpejtësia, efiçenca dhe transparenca, por faza e re ku kemi hyrë do na sjellë në një fazë të re duke evituar vizitat abuzive të tatimoreve nëpër subjekt. Po punojmë për të unifikuar vizitat dhe për të shmangur tmerrin, ku janë 8 agjenci të ndryshme që vinë të bëjnë vizita për çdo lloj stojesh. Ju marrin kohë, stresojnë administratën tuja. Do vendosim rregullin që kontrolli do bëhet një herë kur vjen kontrolli tatimor i paralajmëruar.”, deklaroi Rama.

Rama shtoi se, “kemi arsye të forta të besojmë se rritja ekonomike do të jetë mbi 3%. Por ka ende për të bërë si çlirimi i mëtejshëm i kreditimit të biznesit dhe lehtësimi i vazhdueshëm i biznesit nga pikëpamja e procedurave. Ne preferuam të kemi 20 eksportuesit më të mëdhenj, por nga ana tjetër nuk kemi përjashtuar askënd”.

(el.sp/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: