NGA:ORNELA MANJANI*
Drejtori i Përgjiths hëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, deklaroi dje se procesi i legalizimit në Paskuqan, Kamzë dhe Kënetë do të mbyllet brenda një viti. Deklarata u bë dje në një mbledhje të organizuar në Pogradec me shtatë drejtoritë e ALUIZNI-t, katër drejtoritë e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Korçës për mbarëvajtjen e procesit si dhe problematikat që kanë këto zona. Në fillim Lame bëri një përmbledhje të situatës ku ndodhet procesi si dhe arsyen se pse këto drejtori takohen bashkë. Lame premtoi se brenda këtij katërvjeçari do të përfundojnë zonat informale si: Paskuqani, Kamza, Këneta si dhe zonat të tjera informale. Drejtori i ALUIZNI- t bëri me dije se procesi i legalizimit duhet të marrë dhe ritmin maksimal të mundshëm, jo në funksion të zgjedhjeve apo fushatës elektorale, por në funksion të një kuadri, një skeme të përpunuar se si do operohet në vijim me procesin.

“Vërtetë ka një normë, por kjo nuk do të thotë që të printohen leje legalizimi dhe të hapin sherre e debate mes familjarëve, komshinjve apo edhe më tej”. Ai u kërkoi bashkëpunim qytetarëve që të bëjnë durim për të mos mbyllur një dosje problematike sa më shpejt dhe “të lënë jashtë litarin”,- tha z.Lame. Sipas tij janë bërë legalizime në Drejtorinë e Shtesave në Tiranë. “E vetmja drejtori që bën një lloj krahasimi është Drejtoria e Shtesave në qytetin e Tiranës, e cila sa kemi dhënë neve në këto vjet aq janë dhënë edhe në tetë vitet e kaluara. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë sepse legalizimet e bëra para vitit 2013 në qytetin e Tiranës, janë ato më kriminalet, që kanë krijuar më shumë probleme dhe që i kanë lënë më shumë njolla qytetit të Tiranës”, tha Lame.

POROSITË
“Jemi në periudhën e vitit të fundit, fillon të shfaqet viti i fundit i mandatit të kësaj qeverie, që është edhe viti ku procesi i legalizimit duhet të marrë dhe ritmin maksimal të mundshëm, jo i pari në funksion të zgjedhjeve apo fushatës elektorale që do të jetë vitin tjetër se sa në funksion të një kuadri, një skeme të përpunuar se si do operohet në këto katër vjet, dhe që ka tre vjet që po zbatohet dhe do vazhdojë të zbatohet edhe këtë vit”,-tha Lame. Sipas tij në këto tre vjet u bë ringritja e institucionit. “Kemi ndërmarrë dy nisma: E para, ti kërkonim qeverisë mbështetjen me personel më tepër sepse kemi ngritur një mekanizëm i cili mund të prodhojë, pra mund të japë leje legalizimi, mund t’i ofrojë qytetarit shërbim shumë më tepër se sa ne kemi mundësi sot dhe kjo ishte arsyeja kryesore që ne i kërkuam qeverisë një rritje të personelit, rritje besoj që ju e dini që u miratua në dy mbledhje të qeverisë prej 300 punonjësish.

E dyta, janë pikërisht këto axhustimet e fundit që ne po bëjmë dhe këtu do të thosha një takim që u bë dje në Kryeministri, i kryesuar nga zv.kryeministri dhe nga ministrja Gjermeni, pikërisht me të gjithë faktorët dhe aktorët që kanë problematika që lidhen me legalizimet. Me gjithë ato agjenci dhe gjithë ato ministri që kanë problematika me të cilat neve na kryqëzohet puna dhe këtu nuk është puna për t’u mbajtur me hatër ALUIZNI në funksion të institucioneve të tjera, por vet procesi i legalizimeve është pjesa fundore e një procesi shumë të gjatë ku përfshihen shumë institucione të tjera, të cilat ofrojnë dokumentacion, të cilat ofrojnë informacion, të cilat ndryshojnë apo përmirësojnë dhe një pjesë të legjislacionit të tyre në funksion të një qëllimi të përbashkët që është vijimi dhe përmbyllja në të ardhmen e procesit të legalizimeve”,- tha Lame.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: