Nga: Rrahman PARLLAKU* TIRANE-Në 70-vjetorin e fitores mbi nazifashizmin, ne shqiptarët kemi të drejtë të krenohemi, sepse me luftën e sakrificat mbinjerëzore dhe gjakun e dhjetëra- mijëra dëshmorëve u bëmë pjesë e bllokut antifashist të popujve të botës, të kryesuar nga aleanca anglo-sovjeto- amerikane. Ne krenohemi për Luftën e lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare që çoi në çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashistë. Në momentin historik, populli shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo ku jetonte në trojet e tij etnike, u bashkua me forcat e lirisë kundër atyre të errësirës. Në bazë të kësaj lufte e sakrificave që bëmë, ne siguruam jo vetëm pavarësinë e Shqipërisë, por të drejtën e shqiptarëve në Kosovë për vetëvendosje e të shqiptarëve kudo ku jetojnë, të drejtën për të qëndruar në trojet e tyre etnike. Kjo ishte fitorja e dytë më e madhe në historinë tonë kombëtare, pas shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së flamurit në Vlorë. Në Luftën e Dytë Botërore gjithë populli shqiptar ishte në rrezik. Shqipëria mund të humbiste pavarësinë.

Populli shqiptar i Kosovës e ai i shqiptarëve të tjerë në trojet e tyre etnike mund të shpërnguleshin nga trojet e tyre e të pësonin fatin e atyre shqiptarëve që u dëbuan me forcën e armëve nga serbët në vitet 1870-1880 nga zonat e Nishit, Vranjës, Prokupjes, Leskocit etj., dhe të popullit çam. Ky rrezik vinte sepse pushtuesit italianë erdhën me parullën e bashkimit të shqiptarëve nën kurorën e Viktor Emanuelit; krijuan qeverinë kuislinge për t’i dhënë pamjen e një shteti të pavarur dhe me shkatërrimin e Jugosllavisë dolën me parullën e Shqipërisë së Madhe. Në këtë mënyrë u përpoqën ta lidhnin popullin tonë me bllokun fashist. Të njëjtën rrugë ndoqi edhe Gjermania naziste pas kapitullimit të Italisë, duke mbledhur një asamble tradhtare që e shpalli Shqipërinë të pavarur, pasi gjermanët kishin deklaruar se “ne jemi kalimtarë dhe Shqipëria do të jetë e pavarur!”. Vetëkuptohet, pavarësi me nazistët brenda në Shqipëri! Me këto parulla ata u përpoqën ta joshnin popullin shqiptar, ta mbanin të lidhur me ta dhe me ndihmën e kuislingëve bashkëpunëtorë të tyre ta vinin në interes të tyre kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Po të mos kishte filluar e zhvillohej Lufta Nacionalçlirimtare, kombi shqiptar do të kishte shkuar në humnerë bashkë me nazifash-istët dhe do të ishin plotësuar lakmitë grabitqare sllavo- greke për copëtimin edhe të shtetit shqiptar, për të cilat punonin edhe qeveritë mbretërore greko-serbe në ekzil. Ishte zhvillimi i Luftës Nacionalçlirimtare që përfshiu gjithë Shqipërinë dhe që vetëm brenda vitit 1942 ishin krijuar 22 çeta partizane nga Konispoli në Jug deri në Malësinë e Gjakovës në Veri, jehona e kësaj lufte bëri që ministri i Jashtëm i Anglisë, Iden, i Bashkimit Sovjetik, Mollotov dhe i SHBA, Hell, në dhjetor 1942 të bënin deklaratën që “dëshirojmë ta shohim Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe të vendoset pavarësia e saj.

Forma e regjimit dhe e qeverisë që do të vendoset në Shqipëri do të jetë një çështje që do ta vendosë vetë populli shqiptar në fund të luftës”. Megjithatë, në këtë deklaratë qeveria angleze mbante një rezervë kur shprehej se “e shohim çështjen e kufijve shqiptarë pas Luftës si një çështje që duhet të merret në shqyrtim në Konferencën e Paqes”. Kjo deklaratë ishte mbështetje për qeveritë greko-jugosllave në ekzil, që përgatisnin plane për copëtimin e Shqipërisë. Por Lufta Nacionalçlirimtare kishte marrë zhvillime të vrullshme. Që me krijimin e reparteve sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm më 10 korrik 1943, ky shtab mori në drejtim dhe centralizoi veprimet luftarake; duke u shtuar goditjet kundër pushtuesve u krijuan zona të lira. Në këto momente, aleatët, e në radhë të parë anglezët, dërguan përfaqësuesit e tyre pranë Shtabit të Përgjithshëm, të cilët ndiqnin nga afër luftën tonë dhe u bindën se e vetmja forcë ushtarake e organizuar në Shqipëri që bënte luftë të vendosur kundër pushtuesve nazifashistë ishte Ushtria Nacionalçlirimtare. Pas kësaj bindjeje, ata i shtuan misionet e tyre në Shqipëri dhe filluan të na ndihmojnë me armatime e materiale luftarake, megjithëse shumë të kufizuara, për shtimin dhe zgjerimin e Ushtrisë sonë gjatë viteve 1943- 1944. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e ushtrive aleate bënë të gjitha përpjekjet për t’i bashkuar e futur në luftë forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar e Legalitetit, por nuk patën sukses. LANÇ, LUFTA E SAKRIFICAVE TË MËDHA Ushtria Nacionalçlirimtare, pasi theu me sukses operacionin më të madh të forcave naziste e bashkëpunëtorëve të tyre në dimrin e egër të viteve 1943- 1944 dhe kishte çliruar hapësira të mëdha të vendit, krijoi kushte për mbajtjen e Kongresit Antifashist në qytetin e çliruar të Përmetit. Nga ky Kongres doli komiteti antifashist me atributet e një qeverie provizore.

Pas Kongresit u bënë ndryshime në organizimin e Ushtrisë. Ajo kaloi nga formacionet e Brigadave në ato të Njësive të Mëdha të Divizioneve e Korparmatave, të afta për të kryer operacione operative strategjike në të gjitha hapësirat e vendit. Me thyerjen e Operacionit gjerman të Qershorit ‘44, i fundit i ndërmarrë nga nazistët në vendin tonë, në korrik 1944, forcat e Divizionit të Parë kaluan në mësymje për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut, dhe me çlirimin e Matit, të Dibrës e të Lumës, Brigada e Pestë u shkëput nga varësia e Divizionit të Parë dhe së bashku me Brigadën e Tretë morën urdhër të kalojnë në Kosovë për të ndihmuar në çlirimin e saj. Detyra kryesore që na ngarkonte Shtabi i Përgjithshëm ishte që në bashkëveprim të ngushtë me forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës të godisnim pa ndërprerje forcat naziste e të shpejtonim çlirimin e Kosovës; të ndihmonin që rinia kosovare të merrte pjesë masive në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, me qëllim që Kosova të bëhej pjesëtare e aleancës antifashiste të popujve që luftonin kundër nazistëve dhe në këtë mënyrë të fitonte të drejtën për vetëvendosje; të ndihmonim për ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtarë në zonat e çliruara. Për realizimin e këtyre detyrave dhe drejtimin e veprimeve luftarake u krijua Shtabi i përbashkët Operativ i dy Brigadave dhe Forcave të Kosovës, i përbërë nga Fadil Hoxha – komandant i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, Shefqet Peçi – komandant i Brigadës së Pestë dhe Hulusi Spahiu – Komandant i Brigadës së Tretë. Me gjithë rezistencën e ashpër të forcave naziste e të mbeturinave të Divizionit ESS Skënderbeg për të mbajtur qytetet Prizren, Gjakovë e Pejë e për të siguruar tërheqjen e shpejtë dhe të organizuar të reparteve naziste për në Frontin Perëndimor kundër forcave aleate, forcat tona i mundën e i shpartalluan nazistët me luftime shumë të ashpra që u zhvilluan në Gjakovë e sidomos në Junik e Deçan.

Në këto luftime Brigada e Tretë ka pasur humbjet më të rënda në historinë e saj luftarake; 32 të vrarë e shumë të plagosur. Edhe armiku pati humbje të rënda – shumë të vrarë e të plagosur; zumë, me sa më kujtohet, rreth 30 robër nga forcat e Divizionit Skënderbeg, pasi kishin nxjerrë nga rrethimi komandantët e tyre nëpërmjet një çepengu. Mes tyre kishin qenë Rexhep Deva, Demali Pozhari, një oficer gjerman e të tjerë. Partizanët tanë, të zemëruar nga humbjet e shokëve të tyre, kërkonin me këmbëngulje pushkatimin e robërve. Me shumë vështirësi i bindëm t’i lirojmë, pasi ne nuk kishim shkuar në Kosovë për të vrarë vëllezërit tanë, por për çlirimin e tyre. Atyre u morëm armët e i liruam, duke i porositur të mos shkonin prapë në shërbim të armikut e të vriteshin vëlla me vëlla siç ndodhi në ato luftime. Duhet ta pohojmë se, prej asaj dite, pushkë kosovari nuk qëlloi më kundër nesh. Luftimet për çlirimin e Deçanit, Pejës e gjithë Rrafshit të Dukagjinit përfunduan më 17 nëntor 1944. Na vjen keq kur dëgjojmë a shkruhet në ndonjë gazetë, se forcat tona kanë vrarë njerëz të pafajshëm në Kosovë. Unë pohoj se kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast, përveç kur jemi ndodhur ballë për ballë në luftime. Nuk e di a jeton ndonjë nga të liruarit të jetë dëshmitar i kësaj.

LUFTA E BRIGADAVE TONA PËR ÇLIRIMIN E KRAHINAVE TË KOSOVËS DHA NDIHMESË PËR PJESËMARRJEN E DJEMVE TË SAJ NË LUFTË
Pjesëmarrja masive në Luftën Nacionalçlirimtare e popullit të Kosovës nën drejtimin e Fadil Hoxhës e shokëve të tij ka qenë vendimtare. Ajo bëri të dështojnë planet e Çubrilloviçit që i kishte servirur komandës së Ushtrisë Jugosllave për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre. Lufta e brigadave tona për çlirimin e krahinave të Kosovës dha ndihmesë për pjesëmarrjen e djemve të saj në luftë. Forcat shqiptare ishin të armatosura; ato bënë qëndresë të fortë, duke luftuar për jetë a vdekje nën komandën e Shaban Palluzhës. Forcat e dy divizioneve tona e vazhduan luftën në tokat e Jugosllavisë, duke dhënë ndihmesën e tyre, jo vetëm në çlirimin e krahinave të Malit të Zi, Sanxhakut e Bosnjës, por edhe duke penguar, dëmtuar e vonuar forcat naziste që përpiqeshin të tërhiqeshin me shpejtësi e në mënyrë të organizuar për në frontin e Perëndimit, për të luftuar kundër forcave aleate që kishin zbarkuar në Francë. Luftimet e forcave tona në këto vende janë zhvilluar në kushte tepër të vështira, të një dimri që u kujtonte atë të dimrit ‘43-‘44 në Shqipëri, me mungesë të theksuar në ushqime e mjete të tjera të jetesës. Por ata e kryen me nder detyrën. Dua t’ju kujtoj se në këto luftime kanë rënë afër 600 dëshmorë të dy divizioneve tona. Ky ishte edhe një kontribut i veçantë në Luftën Antifashiste. Populli ynë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo në trojet etnike, është krenar, se iu bashkua në luftë Aleancës së Madhe Antifashiste të Popujve; e çliruam Shqipërinë pa ndërhyrjen direkte të forcave aleate, por edhe dhamë kontribut të çmuar në këtë luftë. Patjetër, ne shprehim falënderimet tona për ndihmën që dhanë aleatët e mëdhenj: Anglia, Bashkimi Sovjetik e SHBA-të, që shkatërruan bishën nazifashiste e u siguruan popujve lirinë. Lavdi dëshmorëve të kombit tonë të të gjitha luftërave çlirimtare!

*Gjeneral-lejtnant (në pension), “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: