Mëngjesin e sotëm, nga Kongresi Kombëtar i Arsimit, ministrja Evis Kushi e vuri theksin tek largimi i të rinjve nga Shqipëria, pasi sipas saj në vendet perëndimore ku kërkojnë punë, janë hapur dyert sepse “po u plaket popullsia”.

“Një tendencë me të cilën po përballet i gjithë rajoni ballkanik, një pjesë e të rinjve largohen nga rajoni për studime apo punësim drejt vendeve perëndimore si është Gjermania por jo vetëm. Vende që duke qenë drejt plakjes së popullsisë, e duke pasur nevoja në rritje në tregun e punës kanë hapur dyert për të rinjtë tanë. Veçanërisht për mjekët infermierët, por edhe profesione të tjera të kohës”, tha Evis Kushi.

Më tej ajo tregoi mënyrën që sipas saj qeveria kë gjetur për t’i mbajtur të rinjtë në vend pas diplomimit.

“Për t’ju përgjigjur kësaj tendence kemi hartuar disa politika të reja. Ndërkombëtarizimi i universiteteve, financime shtesë për programe studimi të përbashkëta më universitete prestigjioze evropiane, qëllimi ynë për të rritur cilësinë e për t’i dhënë vlerë diplomave tona s’i në universitetet më të mira të BE.

Përcaktimi i programeve të studimit prioritet kombëtar, bursa studimi më të larta ndonjëherë për studentët që zgjeshin programe si bujqësia, mësuesia, turizmi, me kushtin që studentët pas diplomimit të vijojnë të mbesin në Shqipëri të japin kontribut për vendin”, tha ministrja Kushi.

Pjesë nga fjala në Kongres:

Arsimi, përveçse është një e drejtë themelore për çdo njeri, është edhe faktori kryesor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të çdo kombi. Ndryshimet qe po ndodhin sot ne bote:
– Nga njëra anë, fatkeqësitë natyrore, pandemi, luftëra, kriza ekonomike, ndryshimet klimatike;
– E nga ana tjetër, zhvillimet e teknologjisë, digjitalizimi, e nevojat e tregut të punës për profesione të reja,

sjellin nevojën për një vizion të ri arsimor. E prandaj edhe Samiti Global i Arsimit, që do të zhvillohet pas pak ditësh në New York, ka zgjedhur pikërisht këtë temë “Transformimi i Arsimit”. Si përgjigje e një krize globale në arsim, krizë cilësie, krizë pabarazie dhe gjithëpërfshirjeje.

Nuk ka asnjë dyshim që për arsimin, në çdo kohë e në çdo vend, duhet një angazhim dhe solidaritet i madh kombëtar, por veçanërisht në kohë sfidash e transformimesh, arsimi duhet të jetë në krye të çdo axhendë, dhe të harmonizojë politikat me veprimet, për t’u rimëkëmbur në këtë botë që ndryshon me ritme shumë të shpejta.

E ne këtë frymë, edhe qëllimi i këtij kongresi është të bëjë bashkë shumë aktore në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin profesional, arsimin e lartë, kërkimin shkencor, partneret në nivel kombëtar e ndërkombëtar, pedagogë, mësues, studiues e politikebërës, për të nxitur bashkëpunimin për sfidat e të ardhmes, për një arsim cilësor, të barabartë e gjithëpërfshirës, drejt BE.

Por, përveç krizës globale, ne këtu në Shqipëri, po përballemi edhe me një sfide tjetër, një tendencë me të cilën në fakt po përballet i gjithë rajoni ynë ballkanik. Një pjesë e të rinjve largohen nga rajoni, për studime apo për punësim, drejt vendeve perëndimore, si Gjermania por jo vetëm, vende të cilat, duke qenë drejt plakjes së popullsisë, e duke patur nevoja në rritje në tregun e punës, kanë hapur dyert për të rinjtë tanë, veçanërisht për mjekët, infermierët, por edhe profesione të tjera të kohës.

Për t’iu përgjigjur kësaj tendence, ne kemi hartuar disa politika të reja, siç është:
– ndërkombëtarizimi i universiteteve, si dhe financim shtesë, për programe studimi të përbashkëta e të dyfishta me universitete prestigjioze në BE, por edhe për struktura ekselence evropiane, që mund të jenë departamente, fakultete, qendra kërkimore. Qëllimi ynë është për të rritur cilësinë, dhe për t’i dhënë më shumë vlerë diplomave tona, njësoj si në universitetet më të mira të BE;

– po ashtu, një tjetër politike është edhe përcaktimi i programeve të studimit prioritete për zhvillimin e vendit, si dhe bursa studimi më të lartat ndonjëherë për këto programe, siç janë bujqësia, mësuesia, shërbimet, turizmi, me kushtin që studentët pas diplomimit të vazhdojnë të qëndrojnë këtu, në Shqipëri, të japin kontribut për vendin e për njerëzit tanë;

Por a mjaftojnë këto politika? Natyrisht që në arsim, ndryshe nga sektorët e tjerë, të gjithë ekspertët bien dakord që, politikat dhe reformat, sa më të mëdha e të thella të jenë, aq më shumë kohë kërkojnë për t’u zbatuar e vlerësuar, sepse edhe rezultatet nuk janë as të menjëhershme, e as lehtësisht të matshme.

Ndaj, unë besoj që në panelet e këtij kongresi, sot dhe nesër, kjo temë do të ketë diskutim të gjerë, dhe ju do të na jepni opinione e sugjerime me vlerë, që me pas, ne të mund t’i integrojmë me politikat dhe veprimet tona.

E ndërkohë kërkimi shkencor. Sfidat që përmenda që në hyrje të fjalës sime, e bëjnë te domosdoshme ngritjen e tij në një nivel te ri. Pa dyshim që duhen më shumë financime, më shumë mbështetje, por mbi te gjitha duhet një qasje e re.

Deri me sot, universitetet janë aktorët më të rëndësishëm në këtë proces, me projektet e tyre kërkimore, me pjesëmarrjen në programet ndërkombëtare, bashkëpunime, shkëmbime dhe partneritete me institucione te huaja, ku për hir të së vërtetës, ka rezultate shumë të mira. Në këtë drejtim, ne i kemi të gjitha mundësitë që të bëhemi shembull pozitiv edhe në rajon, për thithjen e fondeve nga BE për arsimin dhe kërkimin shkencor. Nëse i referohemi vetëm Programit Horizont Evropa, universitetet tona e kanë rritur performancën, dhe tashme jo vetëm qe përfitojnë me shume financim, por janë edhe lider kryesor në projekte te ndryshme.

Megjithatë, edhe këtu besoj se duhet bere shume me tepër. Ka ardhur koha që vetë bizneset të jenë më të përfshira, me aktive, madje pse jo edhe katalizator i këtij procesi, duke bashkëvepruar ngushtë me institucionet e arsimit të lartë.

Në këtë kongres, kemi dedikuar panele të posaçme edhe për kërkimin shkencor, ku kemi ftuar, veç universiteteve dhe qendrave kërkimore, edhe përfaqësues të biznesit e dhomave të tregtisë, dhe mirëpresim më shumë interes kontributin e tyre, me propozime dhe angazhime konkrete.

 

Të nderuar pjesëmarrës,
Edhe në sistemin arsimor parauniversitar sfidat janë te mëdha, për të arritur që nxënësit tanë të përfitojnë aftësitë e reja te shekullit 21, te bëhen profesioniste te mire, punonjës te suksesshëm dhe qytetare te denje te se ardhmes.

Kemi investuar në instrastrukturën shkollore, kemi përmirësuar kurrikulat, tekstet shkollore, trajnimin e mësuesve, mirëqenien psiko-sociale te nxënësve, mbështetjen për nxënësit me aftësi ndryshe.

Por kryefjalë në politikat tona, dhe fokusin më të veçantë, jam e bindur që duhet ta ketë pa diskutim digjitalizimi. Sepse është pikërisht transformimi digjital i arsimit që zbut pabarazinë, dhe nxit gjithëpërfshirjen në arsim. Falë digjitalizimit dhe sistemeve të reja online, ne garantojmë dhe lehtësojmë regjistrimin e nxënësve, ndërveprimin shkolle-prindër, meritokraci dhe transparencë për regjistrimin e studentëve në universitete, por edhe punësimin e mësuesve.

Nga ana tjetër, studimet me te fundit i kushtojnë rendësi te veçantë edukimit ne fëmijërinë e hershme. Ato tregojnë qe nëse kemi programe cilësore për këtë grup moshë, atëherë nga çdo dollar i investuar, përfitimet me vone janë 10 here me te larta, ose e thënë ndryshe kursimet ne periudhën afatgjate janë vertete te konsiderueshme.

Prandaj shpresoj që gjatë këtyre dy ditëve në këtë kongres të kemi diskutime produktive edhe për këtë aspekt të edukimit.

Të nderuar pjesëmarrës,
Në një kohë të shkurtër është e pamundur te ndalem ne çdo problematike apo politikë tonën arsimore, sepse në fakt do të jenë pikërisht panelet e këtij kongresi, me tematika specifike, që do të na ndihmojnë ta vendosim arsimin në krye të agjendës sonë politike.

Në mbyllje të fjalës sime, kam kënaqësinë te ftoj këtu 3 te rinj. Ata do ta prezantojnë vetë, nga vijnë, dhe kanë me siguri edhe mesazhe të rëndësishme, jo vetëm për ne, por edhe bashkëmoshatarët e tyre.

Arsyeja pse ata janë këtu është sepse të rinjtë duhet të kenë një zë ne vendimmarrje. Ne duhet te përpiqemi jo vetëm qe te përmirësojmë arsimin për te rinjtë, por ne duhet ta përmirësojmë arsimin bashke me të rinjtë.

Prandaj, duke ju falënderuar edhe një herë të gjithëve për pjesëmarrjen dhe kontributin, veçanërisht ata që kanë ardhur nga vende te tjera posaçërisht për këtë event, pres me padurim të dëgjojmë së bashku Alemin, Klaudian dhe Enkelen.

Suksese te gjithëve!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: