RUSI

Kryeministri Edi Rama ka qenë i ftuar i Sokol Ballës sot në “Real Story” në News24 teksa çështja kryesore për të cilën ka folur ka qenë Kosova. Intervista është zhvilluar në Moskë, ky Rama ndodhet si kryetar në detyrë i Presidencës së OSBE-së. Ai tha se në takimin me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov, ishte ai vetë që hyri në temë për Kosovën.

Sa iu përket akuzave për tradhti për çështjen e ndërrimit të territoreve dhe nisma të tjera rajonale, Rama u shpreh se ndien vetëm keqardhje. Ai tha se vetëm humbësit i ikin dialogut.

“Nuk është çështja se unë dhe zoti Lavrov dimë fundin. Sot dhe njëherë tjetër u bë e qartë se pozicionet tona janë shumë larg.
Nuk ka gabim më të madh nga ana jonë si shqiptarë që t’i ikim dialogun, t’i frikemi dialogut e të vendosim parakushte për dialogun. Këtë e bëjnë humbësit, jo fituesit. Shqiptarët e kanë fituar luftën dhe tani duhet të fitojnë paqen dhe duhet të zgjidhin këtë problem e të jenë aktivë në zgjidhjen e këtij problemi. Në këtë kontekst dhe pozicionet ekstreme e idiote të etiketimit si tradhtar të atyre që shtyjnë përpara janë shprehje e frikës. Patjetër është e frikshme lufta por paqja dhe përpjekja për paqe është shumë e frikshme për atë që është mbijetesa në pushtet”, deklaroi Rama.

Ai tha më tej se me Lavrov është përcaktuar më herët axhenda e bisedimeve. Sa i përket Kosovës, Rama tha se diskutimi që është bërë për ndarjen e saj është përgatitur në një kuzhinë mizerabël për të ushqyer dhe për helmuar opinionin publik në emër të një atdhetarizmi të shtirur.

“Unë kam vetëm keqardhje që pason neverinë që ndiej kur shoh se si personazhe të caktuara të jetës publike në Prishtinë apo Tiranë lëshohen kundër apo ndërsejnë të tjerë për akuza për tradhtira e konspiracione. Përkundrazi mbetem në pozicionin tim.
Ishte e pamundur të imagjinohej dhe sjellja si humbësa dhe si derdimenë provincialë që interesohen vetëm për pjesën e tyre në tepsinë e pushtetit është prezumim për defaktorizim të Kosovës gjë që ushqehet nga disa faktorë në Tiranë që nuk kanë asnjë lidhje me një vizion strategjik. Në Moskë erdha si kryesues i OSBE-së. Përpara vizitës ne ia bëmë shumë të qartë palët ruse se nëse do flasim për marrëdhënie bilaterale duhet të flasim për një temë të gjerë, nëse do jetë në nivel ministrash do flasim vetëm për OSBE-në. Futja në temë e ministrit rus, ishte që në bisedën që patëm para se dilnim në media, ishte një mundësi për të mbajtur qëndrim pa u dukur sikur po bëjmë provokime. Qëndrimi ynë nuk negociohet.
Unë kam qenë dhe mbetem në të njëjtin dispozicion. Diskutimi që është bërë për ndarjen e Kosovës është përgatitur në një kuzhinë mizerabël për të ushqyer dhe për helmuar opinionin publik në emër të një atdhetarizmi të shtirur. Thjesht e vetëm shfrytëzon territore shpirtërore që janë të gatshëm ta marrin këtë ushqim”, deklaroi Rama.

Ai theksoi se në të gjitha rastet Serbia dhe Kosova në momentin kur Serbia do të ulet në pikën fundore të rrugëtimit të dialogut për të materializuar njohjen do duhet të përcaktojnë kufirin, kjo nuk diskutohet. “Cilin kufi njohim? Mali i Zi e njohu Kosovën por diskutimi për demarkacionin zgjati me vete. Asnjëherë nuk kam qenë për pazar e ndërrimin e territoreve”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: