Përballë madhështisë së vërtetë, njeriu mbetet pa fjalë. Kështu ka ndodhur edhe me Alen Prost, i cili është mahnitur nga arritja e Kimi Antonelit.

“Ky sukses është pothuajse i pashpjegueshëm”, është shprehur ish-kampioni i Formula 1, 71 vjeç, në një intervistë për gazetën franceze “L’Équipe”. Prost fitoi titullin e tij të parë botëror në moshën 30-vjeçare, në vitin 1985. Antoneli, nga ana tjetër, është vetëm 20 vjeç. Sigurisht, bota ka ndryshuar shumë, por si shpjegohet një arritje e tillë në një moshë kaq të re? Është e natyrshme që lind dëshira për të bërë krahasime, por ky është më shumë një ushtrim hamendësimi sesa një analizë shkencore. Antoneli garonte në karting dhe, pa mbushur ende 15 vjeç, kishte filluar të fitonte.

Ndërsa Prost kujton: “Unë isha 20 vjeç dhe mbërrita në Formula 1 vetëm në moshën 25-vjeçare. Pra, bëhet fjalë për dy breza krejtësisht të ndryshëm”. Sipas ish-pilotit francez, epokat e ndryshme janë tashmë “fjalë për fjalë të pakrahasueshme”. Për këtë arsye, ai thekson: “Nuk dua të bëj kurrë krahasime me periudha të tjera”.

TALENT QË TË LË PA FJALË
Bëhet fjalë për një botë më të madhe dhe, mbi të gjitha, krejtësisht të ndryshme. “Një tjetër gjë që më bën përshtypje është fakti që kampion po bëhet një italian. Sigurisht, ka pasur një periudhë kur Ferrari nuk dëshironte pilotë italianë në makinat e saj, dhe kjo nuk ka ndihmuar aspak”, shton Prost. Megjithatë, ekziston edhe një tjetër element që duhet marrë në konsideratë. “Suksesi i Antonelit shpjegohet edhe nga rregulloret e reja. Në moshën 20-vjeçare, Kimi mund të ketë madje një lloj avantazhi, veçanërisht për sa i përket menaxhimit të energjisë”, shprehet ish-piloti.

Por, përtej çdo shpjegimi teknik, ajo që mbetet është një arritje e jashtëzakonshme. Aq e madhe, saqë edhe vetë Prost e pranon se ka diçka që nuk mund të shpjegohet me fjalë. “Ekziston diçka që është e pamundur të shprehet me fjalë. Zakonisht, në të kaluarën dhe deri më sot, pilotëve kaq të rinj sa Kimi u duhej gjithsesi pak kohë për t’u përshtatur me sistemin. Atij jo. Kjo është ajo që më habit më shumë. Të krijon përshtypjen e një veterani me shumë përvojë”, deklaron francezi.

Prost ndalet veçanërisht te paraqitja e Antonelit në Çmimin e Madh të Monakos: “Shikoni atë që bëri në Monako. Nuk pashë as gabimin më të vogël nga ana e tij gjatë gjithë fundjavës, ndonëse e ndoqa çdo sesion. Nga provat e lira, te kualifikimet dhe gara. Dhe Monako është një pistë ku, kur shtyn deri në kufijtë maksimalë dhe kërkon ‘pole position’ apo fitoren, gabimet vijnë shumë shpejt. Ai nuk bëri asnjë!”.

I QETË JASHTË PISTE, I PAMËSHIRSHËM NË GARË
Kjo pjekuri e jashtëzakonshme ngre një pyetje të natyrshme: a fitohet me kalimin e kohës apo është një cilësi e lindur? Prost nuk ngurron të japë mendimin e tij: “Mendoj se ekziston një komponent i lindur, diçka që e ke në gjene. Nuk i njoh personalisht njerëzit që e rrethojnë, por besoj se ambienti ka një rol shumë të rëndësishëm kur je kaq i ri. Ai të ndihmon të ruash qetësinë dhe të orienton në rrugën e duhur”.

Në këtë kontekst, Prost përmend edhe Toto Volfin, drejtuesin e Mercedesit, por pa harruar vlerësimin që Antoneli ka marrë edhe nga rivalët e tij. “Ata e konsideronin që më parë një pilot të një niveli të jashtëzakonshëm. Kjo më ka habitur jo pak dhe ndoshta pikërisht ky vlerësim i ka dhënë edhe gjithë këtë vetëbesim”.

Por a di Antoneli të jetë edhe agresiv në pistë? “Kimi është një djalë shumë i sjellshëm, por në pistë, kur vendos kaskën, edhe pse është vetëm 20 vjeç, bëhet një pilot me instinkt të vërtetë luftarak. Ka vendosmërinë, agresivitetin dhe dëshirën për të fituar. Nuk i mungon aspak shpirti luftarak”, përfundon katër herë kampioni i botës, Alen Prost.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb