“Mami im nuk vjen dot në stadium për të parë Swindon sepse nuk ka para dhe duhet të paguajë ushqimin tim në shkollë. Më pëlqen shumë Harry McKirdy. Një ditë do të vij edhe unë në stadium. Joe, 6 vjeç e gjysmë”.

Kjo është letra e një tifozi të vogël të Swindon Town, klub anglez i League Two, që ka bërë xhiron e rrjetit, pasi u postua në Twitter-in e skuadrës modeste, që i kërkoi tifozëve që ta lidhnin me vogëlushin.

Menjëherë nisi një grumbullim fondesh nga ana e mbështetësve të Swindon, që mblodhën 6000 stërlina brenda pak orëve. Madje, ka pasur edhe nga ata që janë treguar të gatshëm që t’i dhurojnë bileta djalit të vogël dhe familjes së tij për disa ndeshje.

Por, nuk mungojnë edhe skeptikët, që i thonë Joe që të kursejë paratë për ushqime, ndërsa të tjerë mendojnë se shkrimi në letër nuk është i një djali të vogël dhe se bëhet fjalë për mashtrim.

Gjithsesi, Swindon po vazhdon përpjekjet për të takuar personalisht 6-vjeçarin dhe për t’i bërë ëndrrën realitet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: