Pak orë pas liderët evropianë ranë dakord për të hedhur një hap të mëtejshëm për sigurimin e paqes në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin ka sugjeruar një qeverisje të përkohshme në vend nën mbështetjen e OKB-së.
Ai ka propozuar gjithashtu që një qeveri kalimtare të marrë pushtetin në Ukrainë, në mënyrë që të mund të mbahen zgjedhjet dhe të nënshkruhen marrëveshjet vendimtare për t’i dhënë fund luftës.
“Një qeveri e përkohshme mund të marrë pushtetin në Ukrainë, nën kujdesin e OKB-së, SHBA-së, vendeve evropiane dhe partnerëve tanë ,” tha Presidenti Putin, duke folur me anëtarët e Marinës ruse në portin verior të Murmansk.
Në deklaratat e tij, Putin siguroi gjithashtu se ai beson se homologu i tij amerikan Donald Trump, i cili tashmë ka përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe sinqerisht dëshiron që lufta e cila ka mbi tre vjet të përfundojë.
Në të njëjtën kohë, ai siguroi se forcat e armatosura ruse po lëvizin në mënyrë të qëndrueshme drejt arritjes së objektivave të luftës, të cilat ai e kishte cilësuar si një operacion ushtarak special.
Sipas liderit rus Moska është e gatshme të bashkëpunojë me vende të ndryshme, si Koreja e Veriut, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Burimet ukrainase, perëndimore dhe koreano-jugore pohojnë se Pheniani ka vendosur më shumë se 11,000 personel ushtarak në rajonin rus Kursk për të përforcuar forcat e armatosura ruse. As Pheniani dhe as Moska nuk e kanë konfirmuar apo mohuar vlerësimin.
(BalkanWeb)