Pak çeçenë guxojnë të kritikojnë liderin Ramzan Kadyrov publikisht dhe ata që e bëjnë rrezikojnë nënshtrimin…, ose më keq.

Kjo i ka ndodhur edhe një çifti çeçen. Një punonjëse sociale nga fshati Gvardeyskoye, Ayshat Inayeva tha se pasi pagoi faturat e detyrueshme, shefi i saj e detyroi të vinte mënjanë 3.000 rubla (42dollarë ose 38 euro) nga paga e saj si kolateral për pagesën e muajit të ardhshëm.

Në një mesazh audio 2-minutësh të postuar në Whatsapp që u shpërnda më pas nga pjesëtarë të tjerë të rrjeteve sociale, ajo fajësoi për këtë liderin e çeçenëve, Ramzan Kadyrov.

“Çfarë kërkon nga ne? Ti nuk po na lë të çojmë rrogën në shtëpi”, i thoshte Inayeva Kadyrov. “Vetëm ti duhet të hash? Vetëm ti duhet të pish? Vetëm ti ke të drejtë të jetosh?”

Tre ditë më pas gruaja e gjeti veten në televizionin pro qeveritar, me një mundësi për t’ju drejtuar në një dialog të hapur “Padishahut”, një epitet superlativ që njihet ndryshe si “Mbreti i madh” që çeçenët e përdorin shpesh për Kadyrovin.

Ulur në një divan ngjitur me bashkëshortin e saj dhe përkrah me kreun e parlamentit çeçen, Magomed Daudov, kreun e administratës presidenciale, Islam Kadyrov dhe të tjerë, përfshi edhe shefin e saj, Inayeva tërhoqi mbrapsht gjithçka që kishte thënë.

39-vjeçari Kadyrov, veshur me një bluzë të dekoruar me imazhin e babait të tij të vrarë, ish-liderit çeçen pro-rus, Akhmad Kadyrov, një xhami dhe fjalët “Rruga drejt suksesit-Ëndërro, lutu, vepro”, tallet me të dhe here pas here lëshon fjalë si ekstremizëm dhe vahabizëm.

Ai vuri të dëgjohej audio-mesazhi, ndërsa Inayeva dhe bashkëshorti i saj rrinin me kokën ulur dhe duart e mbledhura para. Inayeva e tre ditëve të shkuara e quante liderin çeçen, egoist.

“Ne do vdesim nga uria”, ankohej ajo, “dhe ty nuk të bëhet vonë, për sa kohë ti je mirë dhe për sa kohë ndërtimet e tua shkojnë mirë. Ti paguan artistë me apartamente dhe makina. Përse nuk u jep diçka njerëzve të zakonshëm?”, thoshte ajo në audio.

Ndërsa tani, në kufijtë e televizionit shtetëror, Kadyrov shfrytëzon mundësinë për të demonstruar mëshirën e tij.

“Unë nuk do të dënoj ty, dua vetëm që ti t’u shpjegosh njerëzve dhe të tregosh se si dukem”, thoshte Kadyrov, që zakonisht poston foto në Instagramin e tij popullor duke mundur vartësit e tij në rrjetet sociale, duke pritur njerëz të famshëm apo vizitorë të një profili të lartë dhe duke u mburrur me koleksionin e tij të kafshëve ekzotike.

“Si i vjedh paratë nga njerëzit?”.

Aktivistët e të drejtave të njeriut deklarojnë se Kadyrov ka krijuar një klimë frike në Çeçeni dhe e kanë akuzuar për shkelje të të drejtave, duke përfshirë rrëmbime, tortura dhe ekzekutimeve.

Në TV shtetëror, Inayeva më së shumti qëndroi e heshtur dhe kur i kërkuan të fliste, ishte gati e padëgjueshme, pasi fliste me zë të ulët.

Kadyrov dhe ndihmësit e tij filluan të japin leksione se ku shkon buxheti-qendra të reja të kujdesit për fëmijët, rrugët, linjat e energjisë dhe ujësjellës.

Një spiker lajmesh citon: “Në të ashtuquajturin adresim për liderin e Çeçenisë, ajo thotë: “Përse nuk të bëhet vonë për njerëzit e zakonshëm?” Me sa duket ajo e ka harruar se me kërkesën e saj personale Ramzan Kadyrov ka shtrirë një tubacion gazi me kilometra të gjatë për në shtëpinë e saj”, thotë spikeri.

“Si munda ta thosha diçka të tillë?”

Bashkëshorti i Inayevas, Magomed Idigov, gjithashtu kërkoi të falur, duke fajësuar veten se nuk e ka mbajtur nën vëzhgim gruan e tij, duke e lënë të përhapë gënjeshtra të tilla.

“Unë nuk e di çfarë (djalli) e ka pushtuar atë. Kjo ndodh kur njerëzit tanë dëgjojnë ata jashtë vendit që duan të denogrojnë Çeçeninë tonë dhe Padishahun tonë”, tha ai.

Gruaja e pronarit të Inayevas, Aza Dzankhotova, e quajti gënjeshtare. Në një moment prapaskene televizive pas trajnimit nga zyrtarët çeçenë, Inayeva nuk arrin të shpjegojë se pse ajo e regjistroi audio-mesazhin. Ajo deklaroi se është shumë e kënaqur me punën e saj dhe me qeverinë e Kadyrovit.

“As edhe një herë të vetme në shtatë vitet e fundit paga ime apo e bashkëshortit tim nuk është i vonuar”, thotë ajo. “Ne nuk bëjmë kurrë gabime të mëdha në jetë, por si mund ta thosha unë një gjë të tillë, nuk e kuptoj. Jam fajtore para Allahut, popullit, bashkëshortit tim dhe Padishahut”.

Inyaeva u kthye në punë, sipas Radio Evropa e Lirë, Shërbimit të Kaukazit Verior, pavarësisht se ka zëra se ajo është rrahur dhe shtruar në spital.

“Ajo është në rregull. Askush nuk është pas saj…Ajo vijon të punojë për ne”, tha shefi i saj. “Sa për ta pushuar, nuk e kam menduar ende këtë gjë”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb