TIRANE- Senati italian pritet që të miratojë një ligj më 6 dhjetor, i cili kushtëzon zhvendosjen e kompanive “Call Center” në një territor jo të Bashkimit Europian, i cili rrezikon të mbyllë të gjithë kompanitë që operojnë në këtë fushë në Shqipëri. Nëse kjo ndodh, me mijëra të rinj shqiptarë të punësuar në këto kompani, do të mbeten pa punë, dhe pa një mundësi për të siguruar të ardhura.

Për këtë situatë, ka reaguar ditën e sotme Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji. Teksa thekson se kjo “call center-at mbeten fatkeqësisht e vetmja industri që krijon vende pune për të rinjtë”, Salianji kritikon kryeministrin Rama se shkon në Itali për pushime, dhe jo për t’u marrë me këtë çështje, në mënyrë që të parandalojë problematikat që mund të lindin nga miratimi i këtij ligji.

Sipas Salijanit zhvendosja e “Call center-ave” nga Shqipëria, zhbën 25 mijë vende pune. Më tej Salijani i bën apel kryeministrit Rama që të marrë masat e nevojshme për parandalimin e këtij dëmi kolosal.

DEKLARATA E PLOTE

847 kompani dhe me shume se 25.000 të rinj të punësuar në Call Center-a rrezikojnë të dalin të papunë për shkak të një projekt-ligji të Qeverisë Italiane, për të mbrojtur punësimin në Itali, i cili synon të ndalojë kompanitë italiane të call center të operojnë jashtë vendeve jo-anëtarë të BE.

Mijëra të rinj shqiptarë, qofshin studentë apo emigrantë të kthyer , ndonëse nuk e kanë zgjedhje të parë të punojnë në call center, janë në ankth për vendet e punës, për të ardhmen e tyre dhe jetesën tyre në Shqipëri. Kjo sepse call center, mbetet fatkeqësisht e vetmja industri që krijon vende pune përveç plantacioneve të kanabisit. Pikërisht në këto kushte Rama shkon në Itali jo për të reaguar ndaj këtij fakti, por për pushime. Rama nuk bën të ditur asnjë axhendë për negocimin me çdo kusht dhe me çdo mënyrë me Qeverinë Italiane, që të parandalojë këtë dëm apo ta reduktojë atë duke gjetur forma për të mbrojtur qytetarët e pashpresë, që e kanë këtë të vetmen mundësi jetese.

Në detyrën e kryeministrit të vendit, një vendi që po i emigrojnë qindra mijëra se nuk kanë punë, ndërsa ky ligj i heq dhe 25 mijë vende të tjera të punës, shfaqet emergjente të ulet në bisedime me palën italiane, në mënyrë që Shqipëria të mos preket nga ky ligj ose që ligji të mos ketë fuqi prapavepruese dhe të mos prekë asnjë kompani që tashmë është prezente në Shqipëri.

Në përgjigje edhe të kërkesës së dhomave përfaqësuese të këtyre bizneseve të cilat figurojnë sipas të dhënave zyrtare se kanë më shume se 25.000 të punësuar, Rama duhet të ndërmarrë hapat menjëhershëm për ndalimin e këtij dëmi kolosal për familjet e shqiptarëve pa asnjë rrugë tjetër, që në këto kushte rrugë të vetme të dalin në rrugë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb