Gjykata Kushtetuese nuk mundi të shqyrtojë ne themel ligjin për rindërtimin që miratoi qeveria Rama, për përballimin e pasojave të rënda që la tërmeti i 26 nëntorit, pasi nuk mundi të sigurojë kuorumin e nevojshëm, për të legjitimuar kërkuesin, që në këtë rast ishte një grup deputetësh të opozitës.

Ligji për rindërtimin, është konsideruar si klientelist, nga një grup deputetësh të opozitës, të cilët vunë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.

Por, gjyqtarët nuk e prekën brendinë e ligjit, pasi nuk arritën kuorumin e nevojshëm, në lidhje me momentin e hyrjes në fuqi të aktit normativ, pasi në këtë mënyrë, do të mund të vendosnin nëse kërkesa e bërë nga deputetët ishte jo brenda afat 2 vjeçar.

“Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se nuk u arrit numri i kërkuar i votave për vendimmarrje, në lidhje me legjitimimin e kërkuesit për vënien në lëvizje të këtij gjykimi kushtetues për sa i përket momentit nga i cili fillon të llogaritet afati 2-vjeçar i paraqitjes së kërkesës, pra nëse llogaritet nga koha e hyrjes në fuqi të aktit normativ me fuqinë e ligjit apo të ligjit miratues të tij”, thekson Kushtetuesja.

Që vendimi të konsiderohej i marrë, në lidhje me këtë çështje të ngritur për diskutim, duhet të votonin pro 5 gjyqtarë kushtetues.

Ku kuorum nuk u arrit, e pas pasojë kërkesa e paraqitur nga grupi parlamentar i partisë demokratike u rrëzua.

Akti normativ nr.9  datë 16.12.2019 “PËR PËRBALLIMIN E PASOJAVE TË FATKEQËSISË NATYRORE” u miratua nga qeveria pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, ku 51 qytetarë mbetën të vrarë e qindra të plagosur, ndërsa qindra ndërtesa tu shkatërruan.

Ligji për rindërtimin u godit si antikushtetues, me argumentet se ishte një ligj klientelist.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb