TIRANË

Deputeti i opozitës së re parlamentare Ralf Gjoni sulmoi sot propozimet e mazhorancës për të ndryshuar ligjin për të huajt i cili lehtëson procedurat e marrjes së vizave të punës për shtetasit e huaj në territorin shqiptar duke akuzuar qeverinë “Rama” si të angazhuar për shpopullimin e Shqipërisë.

Gjoni tha se me këtë ligj qeveria iu thotë shqiptarëve ‘ikni’ se ju zëvendësojmë lehtësisht me të huaj. “Ministri i Brendshëm thotë që duhet të jemi të hapur se qenkemi të mbyllur ndaj të huajve. Paska mbërritur dita e suficitit të vendeve të punës dhe nuk paska më punëtorë vendas ndaj na duhet të hapim dyert për punëtorë nga vende te botës së tretë. Përse ky nxitim për të lehtësuar regjimin e vizave të punës? Apo mbaroi papunësia e shqiptarëve ndaj të fillojmë punësimin e të huajve?”, tha deputeti Ralf Gjoni.

Ai vuri gishtin edhe tek argumentimi i projektligjit sipas të cilit ndryshimet propozohen për të përmbushur nevojat e specialistëve pas situatës së rënduar të termetit.  “Pse gënjeni kaq hapur? Ky projektligj s’ka lidhje fare me tërmetin. Ju këtë ligj e keni vendosur për konsultim publik online për 20 ditë në dt. 19 shtator 2019. Pra, dy muaj përpara tërmetit të nentorit. Dhe për më tepër, nuk është konsultuar me asnjë prej grupeve të interesit apo me shoqërinë civile. Pastaj përse nuk ka një studim të nevojave të tregut të punës?”, pyeti deputeti Gjoni.

Sipas tij, është e qartë se kjo qeveri po angazhohet për shpopullimin e Shqipërisë nga shqiptarët.

“Ky është një vend mikpritës për të huajt e botës së tretë dhe vend i ashpër dhe i egër me qytetarët e tij. Ku janë politikat ekonomike? Ku është arsimi profesional për të rinjtë tanë? Ku janë incentivat fiskale për bizneset e vogla e të mesme të cilat po mbyllen e po zëvendësohen nga bizneset e mëdha të oligarkëve? Juve trembni biznesin e vogël dhe favorizoni oligarkun. Juve trembni shqiptarin dhe hapni dyert për punëtorët e vendeve të botës së tretë. Ky është një turp që shqiptarët nuk duhet ta pranojnë”, tha Ralf Gjoni.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb