KOSOVE- NISMA për Kosovën thotë se më 17 shkurt do të protestohet për shtet me sovranitet dhe do të kërkohet dorëheqja e këtij koalicioni aktual qeverisës që refuzon të jep përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës, me nënshkrimin e marrëveshjeve që ka bërë.

Këto fjalë u thanë në mbledhjen e mbajtur sot me kryetarët e degëve, ku temë kryesore e takimit ishte protesta që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.

Kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj, fillimisht i ka informuar kryetarët e degëve rreth zhvillimeve të fundit politike në vend.

Ai ka folur rreth situatës politike në vend, zhvillimeve të fundit ne Kosovë, pastaj edhe për mobilizimin e mëtutjeshëm rreth organizimit të protestës paqësore që do mbahet më 17 shkurt.

Limaj ka kërkuar nga kryetarët e degëve të angazhohen sa më shumë në organizimin dhe mobilizimin e qytetarëve për protestën e organizuar nga partitë opozitare, dhe që sa më shumë të shpërndahet mesazhi për protestë paqësore dhe dinjitoze.

“Për protestën e 17 shkurtit duhet të ftojmë të gjithë, pa dallime partiake, sepse kjo protestë është në të mirë të të gjithëve, ku askush dhe asgjë nuk do mund ta zbeh mesazhin që dhanë qytetarët e Kosovës me pjesëmarrjen e tyre në protestën madhështore e paqësore që u mbajt më 9 janar”, ka thënë Limaj para të pranishmëve.

Kryetari Limaj ka kërkuar më tej nga kryetarët e degëve të partisë që të bashkëpunojnë sa më shumë me organet e rendit, me qellim që “mbarëvajtja e protestës të jetë sa më dinjitoze e paqësore” e gjithashtu ka kërkuar nga ta që të dërgohet mesazhi tek protestuesit “për tu distancuar nga çdo akt i mundshëm i dhunës, nga persona që dëshirojnë ta prishin imazhin e mirë të protestës”.

Në komunikatën për media thuhet se të gjithë kryetarët e degëve i dhanë mbështetje protestës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: