TIRANË- Pak javë pas lirimit të tre të rinjve të akuzuar për vrasjen e Marvi Mihalit më 31 korrik të vitit të kaluar, prindërit e 22-vjeçarit çojnë tek Krimet e Rënda prokurorin e çështjes dhe dy gjyqtarët.

Pas vrasjes së 22-vjeçarit Mihali, u arrestuan nga policia 4 të rinjtë Eugen Bitraj, Devi Bitraj (kushërinj) dhe vëllezërit Marsel Dhe Kridens Alla. Devi Bitraj akuzohet për vrasje me paramendim, ndërkohë që tre të tjerët u akuzuan vetëm për moskallëzim krimi.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Gjykata e Tiranës, konkretisht gjykatësit Sokol Pasho dhe Bedri Qorri i liruan tre të rinjtë e akuzuar për moskallëzim krimi për shkak se kishin mbaruar afatet e paraburgimit. Kjo gjë ka sjellë irritimin e prindërve të viktimës.

Lala raporton se prindërit e Marvi Mihalit, Pavllo dhe Mira Mihali kanë kallëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, prokurorin Artan Lulaj, të cilin e akuzojnë se ka amnistuar autorët e krimit dhe dy gjykatësit Sokol Pasho e Bedri Qorri.

Por pas lirimit të tre të rinjve u ndryshua prokurori i çështjes dhe dosjen e mori në dorë Gjergji Tako, i cili kërkoi ndryshimin e akuzës për ta por ende pritet vendimi i gjyqtares paraprake.

Marvi Mihali u vra më 31 korrik të vitit 2017 në zonën e stadiumit “Dinamo”. Miku i tij Armend Haxhiu i kishte shitur një telefon Devi Bitrajt por nuk i kishte dhënë karikuesin. Pas debateve mes Haxhiut dhe Bitrajve është vendosur që të takohen për t’u sqaruar tek Dinamo. Haxhiu ka kërkuar që aty të shkonte edhe miku i tij Marvi Mihali dhe pas shumë telefonatash ka arritur ta bindë Marvin.

Sapo ka mbërritur Mihali, Haxhiu ka goditur me grusht një prej të dyshuarve. Marvi ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe aty është goditur me thikë nga Devi Bitraj. Familjarët kërkojnë që të katër të rinjtë të përgjigjen për akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim sepse sipas tyre i kanë ngritur kurth Marvit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb