Më 2 prill 1991, ndodhi një ngjarje që tronditi Shkodrën që njihet si masakra e fundit e komunizmit në Shqipëri, ngjarja që shënoi një ndër revoltat më të mëdha popullore në vend.

Pikërisht pas zgjedhjeve të marsit, edhe pse ishte rrëzuar busti i Enver Hoxhës në Tiranë disa muaj para, shteti autoritar vazhdonte të ishte në këmbë dhe vrau 4 të rinj.

Ish-kryeministri Sali Berisha merr pjesë sot në homazhet dhe vendosjen e kurorave pranë Memorialit “2 Prill 1991” në Shkodër teksa në fjalimin e tij ka sulmuar qeverinë.

Ai nderoi 4 martirët Arben Broci, Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka si dhe qytetarët shkodranë, teksa tha se sot as 31 vitesh të martirizimit të tyre vota e lirë është tërësisht e konfiskuar nga sistemi kriminal i patronazhistëve, nga tregu kriminal i blerjes dhe shitjes së votës, nga bandat e qeverisë.

“Jemi mbledhur këtu për të nderuar veprën dhe kujtimin e martirëve të votës së lirë. Themeluesit dhe anëtarit të kryesisë së PD-së Arben Broci, aktivistëve të shquar të PD-së Bujar Bishanaku, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, por edhe të 87 qytetarëve të Shkodrës që në një masakër terroriste u plagosën atë ditë në rrugët dhe sheshet e këtij qyteti, bastion të lirisë.

Më 2 prill 1991, gjimnazistët e Shkodrës e ndjenë se regjimi i Ramiz Alisë grabiti votën e qytetarëve dhe ata mbushën këtë shesh në një protestë më të civilizuarën që mund të bëjë njeriu i lirë, të ulur mbi çantat e librave, protestonin paqësisht. Regjimi diktatorial do të festonte fitoren e grabitur me gjakun e tyre. Mbi ta të rrethuar u shkrehën batare, kallashnikovë dhe mitralozash. Në shesh mbetën, ranë për t’u bërë përjetë të pavdekshëm, martirë të 2 prillit, u plagosën në rrugët e qytetit dhjetëra e dhjetëra qytetarë shkodranë. Flijimi, sakrifica sublime e tyre në të vërtetë u bë dritë për shqiptarët. Masakra e 2 prillit jehoi fuqishëm në Kongresi ne SHBA-ve, parlamentin Europian, Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Diktatori që shpresonte të vishte me zgjedhjet e 31 marsit xhaketën e Gorbaçovit, dëshmoi para shqiptarëve dhe gjithë botës se ai nuk ishte gjë tjetër përveçse një bastard kriminel i Hitlerit të pasluftës Enver Hoxhës.
Ne nderojmë sot veprën e pavdekshme të martirëve të demokracisë të cilët do të jetojnë për jetë të jetëve me lirinë dhe votën e lirë të shqiptarëve. Por sot ne nderojmë kujtimin e tyre në një ditë të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ish-presidenti i SHBA-ve, Ronald Regan do të deklaronte se lirisë nuk i duhet më shumë se një gjeneratë që edhe të zhduket. Sot as 31 vitesh të martirizimit të tyre vota e lirë është tërësisht e konfiskuar nga sistemi kriminal i patronazhistëve, nga tregu kriminal i blerjes dhe shitjes së votës, nga bandat e qeverisë. Martirët e 2 prillit sot më shumë se kurrë kanë një apel për të rinjtë shqiptarë, të vazhdojnë betejën e tyre për votën e lirë. Sot shqiptarët nuk përballen me një diktaturë staliniste, por me një qeveri e cila siç faktohet çdo ditë përbën një organizatë të vërtetë kriminale. Një qeveri e cila njëlloj si një organizatë kriminale vjedh dhe plaçkit shqiptarët, votën e tyre, liritë e tyre, pasuritë e tyre dhe kjo përbën një kushtrim, një apel për çdo demokrat, çdo qytetar, të bashkojmë forcat për të çliruar Shqipërinë, të frymëzuar nga Shkodra, nga kjo klikë e cila nuk ka asgjë të përbashkët me idealet e lirisë për të cilat u sakrifikuan martirët e Shkodrës, me idealet lirisë të qytetarëve të Shkodrës dhe qytetarëve shqiptarë. Ndaj le të zotohemi ne para kujtimit, veprës së 4 martirëve se do bëjmë gjithçka, se jemi të gatshëm për çdo sakrificë, të rikthejmë votën e lirë të shqiptarëve, për të cilën këta të rinj flijuan veten dhe rininë e tyre. Rroftë Shkodra, nderim përjetë martirëve të 2 prillit, rroftë Shqipëria!”, deklaroi Berisha.

Gjatë një proteste kundër manipulimit të zgjedhjeve të 31 marsit të atij viti, u vranë katër djem dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Shkodra humbi katër bijtë e saj, idealistë e plot shpresë për Shqipërinë ku po pritej të vinte demokracia. Tragjedia e tyre nuk u zbardh kurrë.

Dëshmorët e 2 prillit
Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër

Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër

Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër

Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb