Ndryshe nga se pritej, në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-ës, e cila për herë të parë u zhvillua online, nuk pati asnjë diskutim mbi rifillimin e sezonit, apo krizës që Covid-19 ka sjell mbi futbollin shqiptar, thjeshtë klubet u mjaftuan me fjalën e presidentit Duka: “Nuk kemi pasur asnjë depozitim për të diskutuar një çështje jashtë rendit të ditës. Dua t’u njoftoj që në ditët në vazhdim do të organizojmë takim me anëtarët e Superiores, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë. Do të diskutojmë me to për rikthimin e garës dhe aktiviteteve”. Asnjë diskutim, asnjë reagim nga përfaqësuesit e klubet, thjeshtë miratuan çdo ndryshim apo propozim të paraqitur nga FSHF.

– Pranohet Devolli si anëtar i ri i Asamblesë së FSHF-së

– Miratohet ndryshimet në Rregulloren e Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve. Shtohen 2 organe të reja: Dhoma e Arbitrazhit (që do të merret me konfliktet mes lojtarëve dhe klubeve) si dhe Dhoma e Statutit (kur lojtarët duan të transferohen). (Votimi: 50 pro, 1 kundër, 1 abstenim).

– Nuk kryhen ndryshime në Statutin e FSHF-së për vitin 2020. Ndryshimet do të paraqiten në vitin 2021.
– Miratohet projektbuxheti financiar i FSHF-së për vitin 2020 (Votimi: 51 vota pro, 1 kundër, 1 abstenim).

– Miratohet “Grand Thorton” si auditor i pavarur i FSHF-së për vitin 2020 (Votimi: 51 pro, 1 kundër).

– Miratohet pasqyra financiare për vitin 2019 (Votim: 54 pro, 0 kundër, 0 abstenim).

– Asambleja e Përgjitshme miratoi me 51 vota pro dhe 2 abstenim heqjen e statutit të anëtarit direkt për Kamzën, Domosdovën dhe Shoqatën e Minifutbollit pasi nuk kanë marrë pjesë në punimet e dy asambleve të fundit. Këto subjekte kalojnë në statutin e anëtarëve të rretheve.

– Miratohet proçesverbali i Asamblesë së FSHF-së i datës 15 prill 2019 (Votimi: 52 pro)

– Miratohet Komisioni i Vëzhguesve të Votimit me anëtarë Sinan Idrizin, Agustin Markun dhe Ismet Ajazin (Votimi: 52 vota pro, 2 abstenim)

– Miratohet Komisioni i Verifikimit me anëtarë Koço Kokëdhimën, Armando Cungun, Ilirian Përmeti dhe Mikel Furxhi. Ky Ky komision do të ketë mandat 2-vjeçar. (Votimi: 45 pro, 1 abstenim).
Në fjalën e tij, në fillim të hapjes së Asamblesë, presidenti i FSHF-ës foli dhe për bashkëpunimin me qeverisë shqiptare: “Do të doja të falënderoja dhe qeverinë për bashkëpunimin për ndërtimin e stadiumit të Kukësit dhe për dhënien e truallit për ndërtimin e shtëpisë tonë të futbollit, por dhe për faktin që në këtë kohë pandemie na injoroi dhe e falënderoj për mosbashkëpunimin dhe injorimin që bëri qoftë për ndihmën financiare të personave që punojnë në futbollin shqiptar, por dhe për rinisjen e kampionatit”, deklaroi president i FSHF-së Duka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb