Protesta e 55-të kundër qeverisë vijon me një marshim të gjatë në rrugët kryesore të Tiranës, ku mijëra qytetarë ecën nga bulevardi përpara Kryeministrisë drejt disa prej akseve më të frekuentuara të kryeqytetit.

Kolona e protestuesve u drejtua fillimisht nga zona e Shallvareve, për të vijuar më pas përgjatë bulevardit në drejtim të Pallateve Agimi. Më tej, marshimi kaloi përgjatë segmentit pranë Lanës, duke përshkuar zonat e “Sami Frashërit”, ish-Ekspozitës dhe “Vasil Shantos”.

Gjatë gjithë itinerarit, pjesëmarrësit brohoritën slogane kundër qeverisë dhe kërkuan ndryshim politik. Mes thirrjeve më të dëgjuara ishin: “Ndryshim sistemi”, “Arrestoni Ramën”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”.

Protestuesit deklaruan se do të vijojnë mobilizimin edhe në ditët në vijim, me kërkesën për ndryshim të qeverisjes dhe mbajtjen e përgjegjësisë politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb