Një nga protestuesit që mori fjalën në protestën e 53-të të opozitës kundër kryeministrit Edi Rama hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar se të gjitha përpjekjet e mazhorancës për të përballuar situatën kanë dështuar.

Në fjalën e tij, ai u shpreh se qeveria ka provuar strategji të ndryshme, por sipas tij, pa sukses.

“Gjatë këtyre 53 ditëve provoi me agjentura, dështoi me turp. E provoi duke shpallur në kërkim algoritmin, duke sharë influencuesit. E provoi të na përçante, por vetëm na bashkoi. E provoi duke na ofenduar, por vetëm na frymëzoi”, u shpreh protestuesi.

Ai shtoi se, sipas tij, qeveria po shqyrton ndryshime në kabinet, por theksoi se kjo nuk përbën zgjidhje për protestuesit.

“Si çdo autokrat, kur i dështojnë të gjitha tentativat, fillon të pranojë se mund të ketë bërë edhe ai njëfarë faji. Po përgatit disa ndryshime në qeveri, por nuk na interesojnë. Disave u ka mbetur këmba në Aruba, disa në tunelin e Belës, disave në call center-in e Taos. Disa vrapojnë në ambasada, por edhe aty u është mbyllur dera. Të mos lodhet kot, zgjidhja e vetme për të është dorëheqja”, deklaroi ai gjatë protestës.

Protesta e opozitës vijon me kërkesa për largimin e kryeministrit Rama dhe organizatorët kanë paralajmëruar se aksionet e tyre do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb