Tirana pritet të jetë edhe këtë të martë skena e një mobilizimi të madh qytetar, teksa protestuesit kanë nisur marshimin nga sheshi Skëndërbej, për të nisur protestën e 17-të radhazi për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Ashtu si në ditët e mëparshme, pjesëmarrësit do të ndalen përpara godinës së Kryeministrisë. Për shkak të temperaturave të larta, orari i nisjes së protestës është ora 19:00. Protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër Ramës: ” Edi Rama, o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë!”.

Pas tubimit, protestuesit pritet të vijojnë marshimin paqësor nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke krijuar edhe një herë një prani masive në zemër të Tiranës.

Qëndresa qytetare ka hyrë tashmë në javën e tretë, me organizatorët dhe pjesëmarrësit që shprehen të vendosur të vazhdojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Ata e konsiderojnë këtë lëvizje si një reagim ndaj situatës politike dhe ekonomike në vend, duke theksuar se nuk do të tërhiqen nga presioni publik.

Edhe gjatë protestës së një dite më parë, mijëra qytetarë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit, ndërsa në tubimin përpara Kryeministrisë u dëgjuan vazhdimisht thirrje si “Rama jepe dorëheqjen”, slogan që është shndërruar në simbol të këtyre protestave. Mes thirrjeve të tjera të dëgjuara ishin edhe “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Ju erdhi fundi”.

Me pjesëmarrje të lartë dhe marshime që kanë mbushur rrugët e kryeqytetit ditë pas dite, protesta e sotme pritet të jetë një tjetër demonstrim i rëndësishëm i mobilizimit qytetar dhe i kërkesave të artikuluara nga protestuesit.

Shqiperia Nuk Shitet1
Shqiperia Nuk Shitet1

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: