Nga KLODIANA LALA*

Telashet për deputetin kristiandemokrat, Mark Frroku duket se sa vijnë e shtohen. Në kohën kur mbërriti në Gjykatën e Lartë për t’u njohur me masën e sigurisë, për të ashtuquajturën çështja “Doshi” e duket se e fitoi “betejën” e parë me drejtësinë, pasi ia doli të shkonte në arrest shtëpiak, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht se i kishte dërguar Kuvendit një tjetër kërkesë për autorizim për arrestimin e Mark Frrokut. Kërkesa e dytë, që vjen brenda harkut kohor të dhjetë ditëve, nuk lidhet aspak me ndonjë vepër penale që deputeti Frroku dyshohet se ka kryer në Shqipëri, por për një hesap të vjetër të tij, të pambyllur me drejtësinë belge. Frroku sipas Prokurorisë së Përgjithshme, dyshohet se në bashkëpunim me tre persona të tjerë ka vrarë Aleksandër Kurtin më 5 mars 1999 në Belgjikë, si pasojë e përplasjeve të grupeve kriminale, që merren me shfrytëzimin e femrave për prostitucion në Bruksel.
Organi qendror i akuzës thekson se Frroku është dënuar me dhjetë vite burg dhe çështja aktualisht është kthyer për rigjykim. Ndaj, në kushtet kur belgët kërkojnë arrestim e tij, prokuroria sërish “troket” në derën e Kuvendit. Mark Frrokut do t’i duhet të përballet sërish me Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet e mandej të bindë kolegët e tij në Kuvend që t’i thonë ‘jo’ kësaj kërkese, që e rëndon jo pak pozitën e Frrokut përballë drejtësisë.

KRONOLOGJIA “FRROKU”

05.03.1999 – Ekzekutohet në Bruksel Aleksandër Kurti, pas përplasjeve të grupeve kriminale, që merreshin me shfrytëzim prostitucioni.

15 janar 2010 – Katër të dyshuarit për vrasje, mes tyre Mark Frroku, janë gjykuar në mungesë nga Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit dhe janë dënuar secili prej tyre me nga 10 vite burg, për akuzën e “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim.

24 mars 2010 – Gjykata e Kasacionit mbi bazën e apelit të mbrojtjes së dy prej të pandehurve e ka kthyer çështjen për rigjykim.

31 janar 2014 – Kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të Brukselit ka vendosur fillimisht që shqyrtimi i kësaj çështjeje të fillojë në shkurt 2015.

Shkurt 2015 – Gjyqtari ka vendosur që ky proces të fillojë në muajin tetor 2015″, përfundon prokuroria.

27.03.2015 – Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana i përcjell Prokurorisë së Përgjithshme kërkesën e ardhur nga drejtësia belge për Mark Frrokun.

28.03.2015 – Ministria e Drejtësisë i dorëzon prokurorisë materialin e belgëve lidhur me çështjen e Frrokut.

Kërkesa e prokurorisë
Kërkesa e organit qendror të akuzës për autorizim për arrestimin e deputetit Frroku vjen pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore belge kanë nxjerrë urdhrin e arrestit ndërkombëtar, si person i dyshuar për vrasje. “Kërkesa drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, e cila mbështetet në nenin 73/2 të Kushtetutës bazohet në materialin e ardhur në Prokurorinë e Përgjithshme nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana, me shkresën datë 27.03.2015 dhe nga Ministria e Drejtësisë, me shkresën datë 28.03.2015. Pas këtij informacioni, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedimin penal nr. 2, dt. 28.03.2015, për veprën penale të ‘Vrasjes me paramendim’, në bashkëpunim”, njofton prokuroria. Më tej sqaron dhe rrethanat e çështjes lidhur me krimin e rëndë të ndodhur 16 vite më parë në Belgjikë.

“Në kërkesën drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë u bën me dije deputetëve të Kuvendit se Prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Brukselit ka ngritur aktakuzën kundër shtetasit Mark Frroku alias Besnik Morina, i akuzuar për ‘Vrasje me paramendim’ në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në Bruksel, në datën 05.03.1999. Për këtë ngjarje autoritetet belge akuzojnë 4 shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe shtetasin Mark Frroku, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Të akuzuarit janë gjykuar në mungesë dhe ndaj tyre, në 15 janar 2010, Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit ka dënuar secilin me nga 10 vite burgim”, theksohet në dokumentin në prokurorisë. Ky proces gjykimi – sqaron organi qendror i akuzës – është zhvilluar në mungesë të personave të dyshuar, të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre. Dy prej të akuzuarve, njëri prej të cilëve edhe shtetasi Mark Frroku, kanë apeluar këtë vendim, me arsyetimin se avokatët e tyre kanë qenë kontradiktorë në mbrojtjen e klientëve të tyre, pa shprehur qartësisht kundërshtimin e akuzës.

“Në bazë të legjislacionit procedural penal të Belgjikës, ky arsyetim i prezantuar nga dy shtetasit shqiptarë është argument për të pranuar apelimin. Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 mars 2010 e ka kthyer çështjen për rigjykim. Bazuar në apelimin e mbrojtjes, kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të Brukselit, në datën 31 janar 2014 ka vendosur fillimisht që shqyrtimi i kësaj çështjeje të fillojë në shkurt 2015, por pak javë më parë, gjyqtari ka vendosur që ky proces të fillojë në muajin tetor 2015”, përfundon prokuroria.

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb