TIRANE- Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, garanton se institucioni që drejton ka marrë masat për monitorimin e fushatës elektorale për pushtetin lokal dhe sidomos ditës së zgjedhjeve, me qëllim për evidentuar dhe ndjekur penalisht rastet e mundshme të krimeve elektorale.

Llalla ia shprehu këto garanci ambasadores së ODIHR-it, znj. Audrey Glover, gjatë një takimi të zhvilluar sot.

Gjatë bisedës, Prokurori i Përgjithshëm njohu ambasadoren e ODIHR-it me parashikimet ligjore lidhur me veprat penale në fushën e zgjedhjeve të lira, duke e cilësuar seksionin përkatës në Kodin Penal, miratuar në vitin 2012, si “një shprehje vullneti të ligjvënësit shqiptarë për të garantuar proces të rregullt elektoral”.

Në përmbushje të vullnetit legjislativ, z. Llalla theksoi se prokuroria shqiptare ka krijuar një traditë lidhur me monitorimin e procesit zgjedhor, duke sjellë si shembull masat e marra për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, gjatë të cilave Prokuroria e Përgjithshme nxori një udhëzim për të gjitha prokuroritë lokale për gatishmërinë në ditën e zgjedhjeve. Një praktikë e tillë do të vijojë të ndiqet edhe për zgjedhjet lokale të vitit 2015. Një zyrë e posaçme në Prokurorinë e Përgjithshme, e administruar nga Drejtoria e Hetimit, do të koordinojë dhe do të konsultojë prokuroritë lokale për çdo rast dyshimi të krimeve elektorale.

Sa u përket nismave për monitorimin e zgjedhjeve të qershorit 2015, Prokurori i Përgjithshëm deklaroi se “janë fuqizuar mekanizmat e bashkëpunimit, sidomos me Policinë e Shtetit dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Madje, me këtë të fundit, vetëm pak ditë më parë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi, në bazë të të cilës Prokuroria merr përsipër që të trajnojë komisionet zgjedhore lokale dhe numëruesit mbi rastet e shkeljeve penale”.

Në vijim, z. Llalla i shprehur ambasadores Glover se Prokuroria e Përgjithshme dhe “prokuroritë lokale do të jenë të gatshëm të mbajnë kontakte të vazhdueshme me vëzhguesit ndërkombëtarë për çdo rast parregullsie që mund të konstatojnë gjatë fushatës ose në ditën e zgjedhjeve dhe garantoi se për çdo dyshim, prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore janë udhëzuar që të ndjekin me prioritet absolut” pasi, siç u shpreh ai, “krimet zgjedhore cenojnë demokracinë dhe shtetin e ligjor, e për këtë arsye prokuroria shqiptare e vlerëson prioritare hetimin e këtyre çështjeve dhe ndëshkimin e autorëve”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: