BERAT

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj është takuar pasditen e sotme me strukturat e policisë së qarkut të Beratit. Takimi me dyer të mbyllura që zgjati rreth 3-orë është shoqëruar me vlerësime dhe këshilla për uniformat blu të qarkut të Beratit.

Edhe pse qarku i Beratit nuk renditet ndër qarqet problematikë në vend në fushën e kriminalitetit, nuk kanë munguar urdhëresat e dhëna nga Ministri Lleshaj.

Burime të brendshme të policisë bëjnë me dije se ministri Lleshaj është ndalur fort në guroret që kanë ushtruar prej 20-vjetësh aktivitetin në qarkun e Beratit, duke shkaktuar një ndotje të lartë mjedisore.

Lleshaj u ka kërkuar efektivëve të policisë së Beratit të fokusohen në kontrollet në Guroret e Urës-Vajgurore, duke mos lejuar funksionimin e tyre; në kontrollet në guroret informale në Malin e Tomorrit dhe në kontrollet përgjatë gjithë bregut të lumit Osum, për të mos lejuar askënd që të shkarkojë mbetje e të hedhë plehra në ujërat e tij.

Burimet konfirmojnë se Lleshaj ka kërkuar të luftohet me forcë dhe pa asnjë tolerancë krimi, në të gjitha format e tij. Përveç urdhëresave të dhëna, mësohet se ministri nuk i ka kursyer as falënderimet për punën e mirë të bëra nga strukturat e policisë së qarkut Berat, qark që shënon ulje në rritje nga viti në vit të veprave kriminale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb