TIRANE– Ekipi dhe delegacionit zyrtar, që do të përfaqësojnë Shqipërinë në edicionin e tretë të Lojërave Olimpike Rinore “Buenos Aires 2018”, ka marrë sot një dhuratë të veçantë nga presidenti Ilir Meta. Ky i fundit i ka dhuruar sot Flamurin Kombëtar ekipit, në një ceremoni solemne. Edicioni i tretë i Lojërave Olimpike Rinore do të zhvillohen në Argjentinë nga data 6 deri më 18 tetor 2018.

“Dua t’ju shpreh sot mirënjohjen time për angazhimin serioz në përgatitjen e delegacionit sportiv për Lojërat Olimpike Rinore 2018, që do të zhvillohen nga 6 -18 tetor në Buenos Aires, Argjentinë. Me këtë rast dua t’iu shpreh fjalët më të mira, njëkohësisht edhe besimin në performancën tuaj të pritshme, që jo vetëm do t’ju rrisë ju si sportistë në këto sporte të bukura dhe të vështira, por urojmë që të ngrejë më lart autoritetin e vendit tonë në arenën sportive ndërkombëtare. Gjithmonë kam ndjekur me interes aktivitetet tuaja sportive, në të cilat keni shfaqur gjithmonë vlerat e rëndësishme të shpirtit të garës, sidomos në këto ngjarje sportive elitare.” -tha Presidenti Meta.

“Me këtë rast ju uroj të jepni më të mirën, energjinë tuaj dhe aftësitë tuaja në garat ku ju do të garoni. Rezultati është njëra anë e suksesit tuaj, por kujtoni gjithmonë, që sporti është një element i çmuar dhe i pazëvendësueshëm që na ndihmon në rritjen e identitetit kombëtar, për të qenë gjithashtu sportistë të mirë dhe qytetarë të devotshëm. Dua t’iu uroj juve dhe familjeve tuaja suksese në Lojërat Olimpike Rinore dhe njëkohësisht të gjitha institucioneve sportive në vend të japin kontributin e tyre, moral dhe material, për të krijuar një klimë të favorshme, për suksesin në pjesëmarrjen tuaj të rëndësishme. Edhe një herë suksese dhe mbarësi në këtë garë të madhe botërore dhe rinore!” – u shpreh Presidenti Meta.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb