Nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho ne një dalje publike për mediat i bëri thirrje qeverisë që të mos shkurtojë buxhetin e arsimit.

Në emër të LSI-së, Xhixho theksoi se duhet të anuloni koncesionet.

REAGIMI I LSI
Mirëdita!
Gjendja e vështirë ekonomike, e rënduar akoma më shumë prej efekteve të luftës që po zhvillohet në Ukrainë, natyrisht ka nevojë për më shumë përgjegjshmëri në qeverisjen e vendit, e padyshim edhe për më shumë transparencë.
Mirëpo jo vetëm transparencë që nuk ka, por çfarë është më e keqja, arsimi në Shqipëri ka marrë një goditje të rëndë.
Qeveria e Edi Ramës ka miratuar një akt normativ që i heq 15 milionë dollarë arsimit, një sektor në kushte të vështira edhe në situatë normale.
Kjo qeveri që nuk rresht së paguari inceneratorët dhe bosët e tyre në arrati, u heq paratë nga shkollimi fëmijëve, të rinjve dhe studentëve.
Për sektorin e arsimit, qeveria ka parashikuar:
Shkurtimet përfshijnë Ministrinë e Arsimit, me mbi 15 milionë dollarë ose 3.6% e parashikimit në buxhetin fillestar.
Shpenzimet për Arsimin Universitar pësuan shkurtimin më të madh me mbi 5.5%, ose 600 milionë lekë.
Fondet për arsimin bazë u reduktuan me 3% ose 756 milionë lekë dhe fondet për arsimin e mesëm u shkurtuan 3% ose 278 milionë lekë.
Arsimi është i vetmi sektor që nuk mundet kurrsesi të sakrifikohet, në emër të lehtësimit të çfarëdolloj krize.
Shkurtimi i fondeve në arsim është dëmtim me vetëdije i së ardhmes.
Sot buxheti i arsimit i parashikuar në buxhetin e 2022 është 3,51% e PPB, shumë larg mesatares së rajonit që është 5% e PPB apo premtimit të kësaj maxhorance.
Buxheti i arsimit është në masë të konsiderueshme më i ulëti dhe sikur të mos mjaftonte kjo, tani cungohet akoma më tej përmes aktit të fundit normativ të qeverisë Rama.

Ky shkurtim ndodh ndërkohë që qeveria vazhdon të pasurohet në kurriz të qytetarëve që varfërohen, kur vetëm për 2 muajt e parë të vitit janë mbledhur 180 milion dollarë më shumë të ardhura, si pasojë e kontributit më të madh nga TVSH për shkak të rritjes së çmimeve.
Ndërsa hartohej buxheti 2022, ne kemi kërkuar në mënyrë specifike rritjen me 5 miliardë lekë të buxhetit për arsimin.
Kjo jo vetëm që nuk u bë, por arsimit i reduktohet buxheti në emër të krizës energjetike, e cila do të lehtësohej thjesht me anulimin e një koncesioni apo ndalimin e pagesave për inceneratorët që as nuk ekzistojnë.
Ky akt normativ që prek buxhetin më të rëndësishëm, arsimin, tregon qartë se qeveria:
1. Nuk e ka pasur kurrë prioritet këtë sektor, as të rinjtë që sot janë detyruar të largohen nga vendi për mungesën e shpresës dhe punësimit.
2.Edhe një herë, qeveria tregoi se nuk sakrifikon të vetët, por zgjedh të sakrifikojë të ardhmen e fëmijëve tanë.
Arsimi është dhe do të jetë për ne prioritet kombëtar dhe i vetmi mjet për të formuar një brez të aftë dhe për të zhvilluar ekonominë e vendit.
Vetëm përmes edukimit cilësor mund të mbajmë në Shqipëri mijëra të rinj që e shohin largimin si shpresën e vetme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: