Fakulteti i drejtësisë në “Luaras” tashmë është në duart e sigurta të një ndër personaliteteve më të njohur të jurisprudencës në vend. Ish-prokurori i Përgjithshëm dhe Kryetar i Dhomës së Avokatisë më një kontribut të jashtëzakonshëm akademik në brumosjen e qindra gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, Maks Haxhia e ka të kristalizuar vizionin e tij për drejtimin e fakultetit të parë privat të drejtësisë në vend themeluar nga ish profesori i tij i ndjere Aleks Luarasi. Prof. Maks Haxhia i ka thënë po propozimit për drejtimin e fakultetit nisur nga niveli i lartë i studentëve të “Luarasit” në shkollën e Magjistraturës si dhe në shkollën Kombëtare të Avokatisë.

“Unë u nisa nga emri i “Luarasit” sepse ka ardhur koha, që të krijohet elita. Elitën e bëjnë universitetet. Kjo do të thotë që në zgjedhjet e mia, fakulteti i drejtësisë në universitetin “Luarasi”, ka hyrë në rrugën e prodhimit të elitave. Aq me tepër që sot reforma në drejtësi kërkon kapacitete të tilla, që të kenë elementet bazike të formimit, t’i kenë të atillë që të renditen në standardet dhe kërkesat e kohës. Një arsye tjetër është pasi në shkollën e Magjistraturës, e cila prodhon prokurorë dhe gjyqtarë, ka treguar se studentë nga “Luarasi” po përfaqësohen me dinjitet. Kjo ishte dhe arsyeja që unë e vlerësova aq më tepër, që fakultetin e drejtësisë “Luarasi” e ka krijuar profesori im, i ndjeri Aleks Luarasi. Ky fakultet është i konkurueshëm me shtetin, dita ka ardhur, këtë e tregojnë rezultatet në shkollën e Magjistraturës, është një tregues, edhe në provimet e avokatisë, studentët e “Luarasit” dallohen dhe janë pozicionuar në një stad të lartë”, u shpreh për News 24 prof.Maks Haxhia, dekan i fakultetit të drejtësisë “Luarasi”

Reforma në drejtësi ka krijuar kushte e mundësi të reja për studentët e juridikut e veçanërisht të Fakultetit të Drejtësisë në universitetin “Luarasi”. Teksa reforma po i “zbraz” gjykatat nga gjykatësit dhe prokurorët, dekani Maks Haxhia thotë se brezi i ri me përgatitjet ne formimin etik dhe profesional, në fakultetin e drejtësisë ne “Luaras” , do te jetë i gatshëm te përballet në procesin e reformimit të drejtësisë shqiptare.
“Pikërisht këtu është sakrifica që do bëjë stafi akademik në transmetimin e dijeve cilësorë të nivelit të lartë natyrisht dhe edukimi me integritet i studentëve që ata jo vetëm të futen në procesin e shkollimit nga pikëpamja profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, të krijohet traditë siç e kanë vendet jashtë që kanë elitë universitare, unë shpresoj duke qene se “Luarasi” e ka krijuar profilin e vet e them me garanci që ka potencial për tu bërë fakultet elitë. Do jetë tepër konkurrues dhe i paarritshëm në treg. Kam besim se fakulteti i drejtësisë do vijojë rrugën drejt krijimit të elitave, e them sepse tregu i avokatisë por në radhë të parë, gjyqësori dhe prokuroria, kanë mungesa dhe kanë nevoja për prurje të reja. Kjo prurje që do të jetë sasiore, ne do përpiqemi dhe kemi objektivat tona për t’i përgatitur nga pikëpamja cilësore, që nesër të lartësohet emri i “Luarasit”,- u shpreh për News 24 prof.Maks Haxhia, dekan i fakultetit të drejtësisë “Luarasi”
Në cilësinë e Kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, dekani Haxhia shprehet se studentët do të kenë mundësi për të zhvilluar praktikën pranë institucionit që drejton.

“Ana praktike është kryesore, një nga shtyllat kryesore do jetë edukimi me shprehitë praktike, në cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, duke ndjekur nga afër edhe shkollën e Avokatisë, dua të bëj një lidhje mes teorisë dhe praktikës” tha për News 24 prof.Maks Haxhia, dekan i fakultetit të drejtësisë “Luarasi”.
Dekani beson fort se studentet e drejtësisë në “Luaras” do të kontribuojnë fuqishëm në përtëritjen e drejtësisë në vend duke qene konkurrues madje edhe më të diplomuarit në shtet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb