Në kuadër të ceremonisë së diplomimit në Universitetin “Luarasi”, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Admir Belishta, ka përcjellë një mesazh për studentët që përmbyllën studimet e tyre në programet e këtij fakulteti.
Belishta vlerësoi punën dhe përkushtimin e studentëve përgjatë viteve të studimit, duke theksuar se ata tashmë janë të përgatitur për të përballuar sfidat profesionale dhe për të konkurruar denjësisht në tregun e punës.
Sipas dekanit, formimi i tyre është rezultat i një periudhe të mbushur me punë dhe përkushtim, por edhe i mbështetjes së vazhdueshme të stafit akademik.
Ai theksoi se studentët duhet të ndihen krenarë për formimin e tyre dhe për diplomën e marrë në një universitet që, sipas tij, ka krijuar një emër të konsoliduar në institucionet e arsimit të lartë në vend.
“Të nderuar studentë të diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, në përfundim të periudhës së studimeve në të katër programet e studimit të ofruar nga ky fakultet, ju sot diplomoheni në këtë ceremoni solemne.
Një periudhë e mbushur me punë, përkushtim dhe me shumë dëshirë për dije. Falë kësaj pune dhe mbështetjes së pakursyer të stafit akademik, të cilin gjej rastin ta falenderoj, ju jeni sot juristë të formuar me baza të shëndosha të parimeve, koncepteve dhe nocioneve juridike.
Tashmë pa më të voglin dyshim ju jeni të aftë të përballoni sfidat profesionale duke konkuruar denjësisht në tregun e punës pavarësisht sektorëve ku do të shërbeni. Në këtë këndvështrim ju duhet të jeni krenarë për formimin tuaj dhe për vlerën e diplomës që
buron nga një fakultet dhe universitet serioz që ka një emër të konsoliduar në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë.
Suksesi juaj nuk do arrijë i vetëm, ku përveç stafit akademik një rol të rëndësishëm kanë pasur edhe prindërit e familjarët tuaj, të cilët ju ka mbështetur përherë dhe kanë qenë bashkëpunues me fakultetin për çdo lloj problematike, për të cilët ne jemi falenderues.
Së fundmi, por jo për nga rëndasia, dua të shpreh një falenderim të veçantë për dy personat.
Së pari për presidentin e Hyenbelliu grup, zotin Irfan Hysenbelliu dhe së dyti për presidenten e universitetit zonjën Fabiola Hysenbelli të cilët me mbështetjen e dhënë në mënyrë sistematike stafit akademik për t’i dhënë garantimin e funksionalitetit të veprimtarisë akademike të Fakultetit të Drejtësisë si dhe Universiteti Luarasi, mbështetje pa të cilën do ishte e pamundur përmbushja e këtij qëllimi.
Të nderuar kolegë juristë, Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit Luarasi mbetet shtëpia juaj dhe një derë e hapur në çdo kohë. Aty ju jeni rritur dhe formuar profesionalisht. Ju uroj shëndet, mbarësi dhe shumë suksese. Ju faleminderit’, tha ai.
