Prej më shumë se 24 orësh vijon beteja me flakët në masivin pyjor të Lurës. Raportohet se rreth 260 forca ndodhen në terren, mes tyre punonjës të Bashkisë Dibër, Emergjencat Civile, shërbimet zjarrfikëse, forcat e Ushtrisë dhe Policia.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura, Dibër, Leonard Topuzi, thotë se prej më shumë se 24 orësh po punohet me forca të shumta për vendosjen e zjarrit nën kontroll, ndërsa terreni i vështirë malor e bën të vështirë ndërhyrjen e mjeteve dhe zjarrfikësve.
Në ndihmë të operacionit kanë mbërritur edhe dy helikopterë, të cilët po ndërhyjnë nga ajri për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Gjatë natës, forcat në terren kanë vijuar punën pa ndërprerje. Sipas Topuzit, bashkë me punonjësit e Bashkisë Dibër dhe kryetarin e bashkisë, Rahim Spahiu, është bërë e mundur mbrojtja e 5 banesave, si dhe e 2 staneve blegtorale, ku ndodheshin rreth 400 krerë bagëti të imta.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon, ndërsa forcat në terren po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
