Analisti Mentor Kikia, në një intervistë në News24 komentoi përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Kikia tha se letra e kryebashkiakut Veliaj është alarmante. Shtoi se letra ngre pikëpyetje për mënyrën sesi funksionojnë institucionet.
Sipas tij, në lidhje me deklaratat e forta të Veliajt, duhej një reagim nga kryeministri. Kikia theksoi se ngjarja ka përmasat e skandalit.
“Çështja ka dy dimensione, ka dimensionin politiko-personal mes Ramës dhe Veliajt, që në aspektin personal nuk i intereson askujt, kurse në aspektin politik ka interes të gjerë. Dimensioni shtetëror është ai që më intereson mua e qytetarëve më shumë. Lufta e brrylave është një gjë normale, në çdo parti politike ka përplasje jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë shtetit. Kjo është gjë e mirë, sepse partitë politike që kënetizohen nuk kanë çfarë t’i japin Republikës. Jam i shqetësuar që nga ky konflikt ne mësojmë mënyrën sesi funksionojnë institucionet.
Po e marrim të mirëqenë atë që Veliaj ka shkruar në shkrim në letër. Erion Veliaj ka bërë një deponim, sepse letra ka vlerën e një dëshmie në organet e prokurorisë dhe të hetimit. Problemi është mënyra sesi funksionojnë institucionet. Transferimi i një të dënuari ka një procedurë të brendshme, patjetër që ka arsye për të justifikuar lëvizjen nga një institucion në tjetrin dhe prandaj mbrojtja e Veliajt ka kërkuar të mësojë shkaqet e lëvizjes. Dëshmia e avokatit të Erion Veliajt ngre pikëpyetje për mënyrën si funksionojnë institucionet. Është në pikëpyetje edhe roli i ministrit. Pikëpyetja tjetër është që drejtësia është e pavarur apo ndodhet nën kontrollin e qeverisë. Në lidhje me këtë rast, kryeministri duhet të reagonte, qoftë edhe duke mohuar. Nuk mund të mbarojë çdo gjë me një deklaratë të ministrit të Drejtësisë Toni Gogu. Nuk kuptohet se çfarë donte një ministër në orën 22:00 në burg, këtë nuk e kuptojmë. Ngjarja ka përmasat e skandalit dhe gjërat nuk duhet të liheshin në heshtje”, tha Kikia.
Për Kikian, përplasja mes politikanëve çon në dështimin e besimit tek institucionet. Vuri në dukje se Tirana ka shumë rëndësi s bashki në zgjedhjet lokale.
“Nuk besoj se Rama është i shqetësuar që Veliaj do mbajë bashkinë e Tiranës dhe për pak muaj. Tirana unë besoj se është e rëndësishme, sepse zgjedhjet në kryeqytet janë shumë të rëndësishme edhe për ato në nivel kombëtar. Mendoj se Rama beson se nuk e fiton Tiranën, nëse ka Veliajn dhe opozitën kundër. Problemi është që konfliktet politike krijojnë probleme për shoqërinë. Përplasja çon në dështimin e besimit tek institucionet”, u shpreh Kikia.
Më tej, kritikoi edhe mënyrën sesi funksionon Partia Socialiste. Kikia vlerësoi se PS sot është një parti, ku dëgjohet vetëm kryetari dhe njerëzit rreth partisë janë aty vetëm për interesa politike.
“Kur Fatos Nano ishte kryetar i PS-së, ka pasur një dinamikë. Sot me Ramën kryetar të Partisë Socialiste kemi një parti solide, ku askush nuk flet. Kjo nuk është gjë e mirë, sepse në një parti njerëzit duhet të marrin pjesë se kanë bindje të përbashkëta. Por PS është kthyer në një parti, ku shikohet interesi ekonomik. Deputetët shohin vetëm interesa politike. PS ka humbur hapësirat e debatit me njëri-tjetrin”, deklaroi Kikia.
