Rusia ka kryer sulme vdekjeprurëse në të gjithë Ukrainën, ndërsa Kievi ka shtuar përpjekjet e saj për të rimarrë rajonin e pushtuar jugor të Khersonit. Në sulmin më të përgjakshëm, pesë persona u vranë dhe 25 u plagosën kur raketat goditën qytetin qendror të Kropyvnytskyi, thanë zyrtarët lokalë.

Ndërkohë, pranë Kievit, 15 persona u plagosën në një bazë ushtarake. Rajonet veriore dhe jugore të Ukrainës u goditën gjithashtu.
Këto sulme vijnë pasi Ukraina kërkon të izolojë trupat ruse në jug të vendit. Një urë kyçe në qytetin Kherson është jashtë funksionit pasi forcat ukrainase e goditën atë me raketa me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga SHBA. Kjo e bën të pamundur për Rusinë dërgimin e dislokimeve dhe armatimit mbi Urën Antonivsky, raporton BBC.

Zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar thonë se i vetmi kryeqytet rajonal ukrainas i kapur që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, tani është “praktikisht i shkëputur nga territoret e tjera të okupuara”. Megjithatë, ushtria ukrainase ka paralajmëruar se Moska tani po ridislokon forcat e saj nga Ukraina lindore për të mbrojtur rajonin Kherson. Kontrolli mbi Kherson është i rëndësishëm për Rusinë, pasi siguron një korridor tokësor për në Krime – gadishulli jugor i Ukrainës i aneksuar nga Kremlini në 2014.

Kropyvnytskyi – kryeqyteti i rajonit Kirovohrad – u godit nga dy raketa ruse rreth orës 12:20 me orën lokale të martën (09:20 GMT), tha kreu rajonal Andriy Raikovych në një konferencë. Ai tha se raketat goditën hangarët e një shkolle lokale dhe se të plagosurit nuk kishin lëndime kërcënuese për jetën.

Po ashtu, 15 persona u lënduan kur gjashtë raketa ruse Kalibr goditën një bazë ushtarake në Liutizh, rreth 10 km (gjashtë milje) në veri të kryeqytetit Kiev, tha zyrtari i lartë ushtarak ukrainas Oleksiy Hromov. Ai nuk specifikoi nëse ka të vdekur.
Diku tjetër, një person u vra dhe dy u plagosën në bombardimet ruse të rajonit Dnipropetrovsk qendror-lindor të Ukrainës, thanë zyrtarët lokalë. Dhe në qytetin jugor të Mykolaiv, një person u plagos dhe një shkollë u shkatërrua në një sulm “masiv” raketor rus, tha kreu rajonal Vitaliy Kim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: