Kampionati i Kategorisë së Parë është i bukur dhe tërheqës edhe për çuditë, prapaskenat, sherret mes pjesëtarëve të një ekipi, informalitetit, tolerimit të hapur dhe vendimeve absurde. Dhe një i tillë u mor të dielën në mbrëmje te Luftëtari. Në Gjirokastër, drejtuesit mund ta kenë parë renditjen me kokë poshtë që i shtyu të shkarkonin trajnerin Mustafa Hysi.

Edhe pse në vend të parë dhe me një ecuri afër perfektes, drejtuesit bluzi duket se mezi kanë pritur gabimin më të vogël të skuadrës për të larguar trajnerin që i ka sjellë deri këtu. Hysi dhe ndihmësi i tij Kristaq Ciko e kanë krijuar Luftëtarin e këtij sezoni që prej korrikut të kaluar duke realizuar me kujdes edhe merkaton e janarit. Por, drejtuesve bluzi nuk i ka mjaftuar asnjë prej këtyre dhe as vendi i parë (nëse e shohin renditjen siç është) dhe i kanë dhënë “shkelmin e fundit” Hysit pas vetëm një gjysmë hapi fals fundjavën e kaluar. Vendim i nxituar dhe i paargumentuar, në një kohë që klubi në arsyetimin zyrtar fajëson rezultatet e fundit (2 fitore, 1 barazim). Më shumë se e çuditshme. Ndërsa kjo është hera e dytë që Hysit i ndodh e njëjta histori.

Edhe katër sezone më parë, kur Luftëtari udhëhiqte renditjen pas pjesës së parë të kampionatit të së Parës me nëntë pikë, çuditërisht iu desh t’i linte vendin Flamur Bimes. Me siguri, në Gjirokastër do kenë probleme me perceptimin e renditjes. Absurde! Në Grupin B, Apolonia i afrohet kreut me dy pikë pas fitores së vuajtur dhe të kontestuar në Cërrik. Ervis Kaja është heroi i fierakëve.

Pogradeci kalon një transfertë të vështirë në Sarandë ndaj Butrintit. Braziliani Pinto me dopietën e tij u jep 3- pikëshin liqenorëve që afrohen sërish me kreun. Ndërsa sarandjotët në tribuna protestojnë ndaj drejtuesve në lidhje me shpërdorimin e fondeve. Rikthehet Lushnja. Verdhejeshilët gjejnë fitoren pas pesë humbjesh. Përballë Shkumbinit vendosin Sefa dhe Bufasi. Në ndeshjen e fundit të grupit, Sopoti dhe Dinamo ndajnë nga një pikë pas barazimit në Pezë.

Në Grupin A, lufta është e hapur. Madje, i tejkalon edhe kufijtë e një përballjeje normale. Kastrioti dhe Korabi dhurojnë spektakël në sfidën e zhvilluar në Krujë. Me rreth 3000 tifozë, 300 të ardhur nga Peshkopia, kanë dhuruar spektakël në shkallët e stadiumit. Në fushë sfida vendoset nga një eurogol i Alikajt dhe një gabim fatal i Dostit që u fal golin dibranëve. Për Korabin që ruan kreun Superiorja nuk është më një utopi. Në Pezë, Erzeni mund Besëlidhjen duke mos e lënë të kapë kreun. Një sfidë shumë e tensionuar ku nuk mungojnë përplasjet, akuzat, madje edhe konfliktet mes pjesëtarëve të Erzenit. Pavarësisht se me 10 lojtarë, shijakasit ia dalin të fitojnë. E kundërta e dy përballjeve të para ndodh në Kamza-Ada.

Pavarësisht se udhëhiqnin 1-0, duket se gjithçka ishte vendosur më parë dhe kamzalinjtë tolerojnë hapur me velipojakët që shënojnë dy gola për dy minuta. Në fund, trajneri i Kamzës, Bledar Devolli, është larguar i zhgënjyer, ndërsa dikush e ka konsideruar “teatër të shëmtuar”. Besa ka dështuar në shtëpi dhe trajneri Ilirjan Berati e ka nisur në mënyrën më të keqe aventurën te kavajasit. Verdhezinjtë janë mundur në shtëpi nga Burreli 1-0. Mamurrasit i janë dashur plot 16 javë dhe pesë muaj që të shijonte fitoren e parë të vitit. Ndaj Ilirisë është Përgjini ai që vendos dhe i jep 3-pikëshin skuadrës së Bardhit. Megjithatë, mamurrzakëve do t’u duhet të luftojnë fort për mbijetesën deri në fund./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: