Prej muajsh, zhvillimi i ndeshjes mes Maqedonisë dhe Shqipërisë është bërë çështje diskutimi. Me afrimin e datës kur edhe do të luhet kjo përballje, ka një pozicionim më ekstrem të të dyja federatave, të cilat kërkojnë të imponohen në institucionin europian të futbollit.

Caktimi i stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja Maqedoni-Shqipëri, është shndërruar në shkak për një luftë “muskujsh” mes Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

PRAPASKENA
Në dukje janë vetëm dy federata që kanë interesa të ndryshme për numrin e tifozëve në një ndeshje futbolli. Mirëpo, prapaskena e këtij 90-minutëshi për vendin ku do të luhet, është shumë më tepër se kaq. Qartësisht, federata maqedonase kërkon të imponohet në UEFA me caktimin e stadiumit “Mlladost” në Shtrumicë për këtë përballje.

Ajo ka pranuar edhe që të kryejë të gjithë rikonstruksionet e nevojshme në këtë impiant, në mënyrë që të plotësojë të gjitha kriteret. Nga ana tjetër, zyrtarisht, Federata Shqiptare e Futbollit është shprehur se nuk ka pranuar që ndeshja të luhet në Shtrumicë.

Me anë të ankesave zyrtare në UEFA, FSHF kundërshton Shtrumicën, si për të kërkuar që të fitojë duelin “e influencës” në rajon në sferën europiane të futbollit.

Mirëpo, ka qenë vetë FSHF që ka njoftuar zyrtarisht se, për momentin, UEFA ka pranuar impiantin e Shtrumicës, duke arsyetuar edhe se atje ka më shumë siguri sesa në impiantin modern të Shkupit, “Filipi i Dytë”, i përzgjedhur nga UEFA për zhvillimin e Superkupës së Europës të këtij edicioni.

VENDIMI
Ndonëse paraprakisht duket qartë që stadiumi i Shtrumicës është përzgjedhur për të luajtur aty ndeshjen kualifikuese për Botërorin “Rusi 2018”, vendimi final nuk është dhënë ende. Përgjegjësi i firmës që po kryen punimet në stadiumin e Shtrumicës, në “Alsat-M” ka deklaruar se asgjë nuk është vendosur përfundimisht.

“Në inspektimin e fundit nga UEFA që e kishim para 10 ditëve, na është dhënë afati i përfundimtar kur duhet që stadiumi të jetë gati, jo vetëm me tribunat, por me tërë infrastrukturën e nevojshme.

Deri më 25 gusht, të gjitha punimet në stadiumin ‘Mladost’ duhet të përfundojnë. Këtë ditë do kemi edhe një inspektim, i cili do jetë i fundit dhe pas tij UEFA do të marrë vendimin se ndeshja do të luhet apo jo në këtë impiant”, ka deklaruar fillimisht Slavço Vaskov-Pinda.

Sipas fjalës së përgjegjësit të firmës, impianti do të ketë një kapacitet të shtuar deri në 7100 vende pas rikonstruksionit të plotë të stadiumit. Në bazë të mediave maqedonase, federata ka zgjedhur këtë impiant për arsye sigurie. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb