Gjatë konferencës për mediat nga bypassi i Vlorës ku ndodhej me Komisionerin për Zgjerimin Oliver Varheyli, kryeministri Edi Rama u pyet nëse do të ketë një paketë ndihme për sektorin e turizmit, pas qarkullimit të lajmeve për mungesë pushuesish në bregdetin e Jugut, që vjen edhe prej rritjes së çmimeve të akomodimit.

Rama u përgjigj duke thënë se tregu i Mesdheut ku bënë pjesë Shqipëria është tepër i fortë në konkurrencë dhe për këtë bizneset që operojnë në sektor duhet të marrin parasysh që dalin të fituar vetëm me oferta më të ulëta.

Ai theksoi se nuk mund të vazhdohet me politikën e çmimeve “ja fusim me top” dhe se bizneset nuk duhet të presin ndihmë nga qeveria kur abuzojnë.

Edhe komisoneri pë Zgjerimin komentoi vështirësitë e turizmit duke thënë se do të duhen të paktën 3 sezone verore që industria të rimëkëmbet nga pasojat e Covid.

Rama: Nuk e kuptoj për cilin dëm bëhet fjalë. Ne jemi në një ekonomi tregu dhe pa e përkrahur konstatimin që mendoj se është minimalisht i nxituar lidhur me sezonin se  ne kemi shifrat e vizitorëve të huaj që hyjnë në vendin tonë. Nuk flasim këtu për shqiptarë që hyjë në periudhë pushimesh, por për vizitorë të huaj, që numri për këtë vit është shumë herë më i lartë se vitet e shkuara. Nëse ka një problem të vërtetë me çmimet e larta kjo është për t’u parë në fund. Sigurisht që nëse dikush vendos çmim të lartë dhe në fund nuk i vjen njeri, ky është një dëm që vetes së vetë ia paguan vetë, mos të presë t’ia paguajë shteti, ndaj e kemi zgjedhur këtë treg. Në një rajon ku ka destinacione të afërta konkurrente, duhet menduar mirë kur rriten çmimet. Po qe kështu ky sezon do të jetë një mësim i madh për sezonin tjetër. Kështu mësojnë dhe maturohen vendet që kanë një eksperiencë më të madhe se ne. Mos të harrojmë se ku ndodhemi në Mesdhe, Kemi Greqinë afër, Kroacinë, Turqinë, Malin e Zi aty sipër. Kemi edhe Italinë, por që është një nivel tjetër. Mos të mendojmë se meqë iu hap nami Shqipërisë si një magji që duhet zbuluar, hajde se po i biem me top.

Ne kemi qenë një vend ku turistët e huaj numëroheshin me gishtat e dorës. Ishte një vend ku nuk ktheje dot kokën për të bërë një fotografi, përveçse të ngjiteshe në mal, ose të zhyteshe në det. Lungomarja e Vlorës ishte një shteg dhish ku kaloje përmes jashtëqitjeve të deleve dhe kishte vetëm ndërtime pa leje, me ujërat e zeza që merrnin rrugët. Sot është shumë më mirë, por konkurrenca në këtë treg është shumë e madhe. Është njësoj si bujqësia, nuk e di a i patë sot shifrat e eksporteve që janë të admirueshme në një kohë lufte globale.

Varheyli: Nuk dëshiroj të bëj sikur jam ndonjë ekspert për turizmin në Shqipëri, por më lejoni të jap ide sesi ne e shikojmë turizmin në Shqipëri por edhe në rajon. Në disa vende turizmi është një pjesë e rëndësishme e ekonomisë, por për ne është më mirë që turizmi të mos jetë i vetmi burim i ekonomisë. Ne duam të kontribuojmë për të diversifikuar ekonominë. Pra sektori i shërbimeve, prodhimit, që do të krijojnë stabilitet afatgjatë. Kur flasim për ndërlidhjen, atë që e kemi quajtur Konektivitet, ne krijojmë aksesin për të lëvizur me rrugët, jo vetëm të turistëve por edhe të mallrave. Sa i përket aspektit afatshkurtër ne sigurisht shohim që në rajon ky mund të jetë viti i parë [pas krizës së Covid do të shohim performancën e turizmit si para krizës, por diçka të përafërt po shohim nga ana jonë mundësin për të fuqizuar këtë sektor të ekonomisë. Si nga fondi i IPARD, ne kemi caktuar fonde për këtë sektor. Gjithsesi 160 milionë euro që do të vihen në dispozicion të këtij sektori. Ne të gjithë e dimë se sa shumë sektori i turizmit vuajti gjatë Covid dhe besoj se do të duhen 3-4 sezone për të marrë veten.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb