Tirana udhëton në Laç për përballjen e javën e 16-të të Kategorisë Superiore. Një sfidë e vështirë, në një transfertë që gjithnjë ka qenë problematike dhe vazhdon të jetë për skuadrat pretendente. Në prag të sfidës, në konferencën për shtyp, trajneri Orges Shehi pohoi se Laçi meriton respekt dhe si tillë është vlerësuar maksimalisht, por pavarësisht se koeficientit të vështirësisë, Tirana do të kërkojë maksimumin.

“Kemi afruar lojtarë, si Lushkja që tashmë ju e dini, por nuk është gjendjen e tij më të mirë kështu që nuk do të jetë i gatshëm për nesër. Të gjithë e dinë që Laçi është një kundërshtar që këto vitet e fundit është sipër në renditje, ekip që është prezent në Kupat e Europës, të imponon respekt dhe kujdes. Kjo ndeshje vjen pas një pauze, ata kanë luajtur mirë në tre ndeshjet e fundit përvec asaj me Kukësin. Na pret sfidë e vështirë nesër.”

Numri një i stolit bardheblu foli edhe për merkaton, ku pranoi se gjithçka mund të ndodhë me Xhixhën, por sido që të vijojë merkatoja, nuk do të ndryshojë objektivat e Tiranës.

“Duhet të përforcohemi sepse realisht kemi nevojë dhe jemi në një mendje me drejtuesit. Ky ekip ka lojtarë cilësorë në gjirin e vet, Xhixha dhe Deliu janë ata që kanë qenë më afër me Laçin, por në merkato dhe dinamikë lojtarët ndryshojnë. Rasti i Xhixhës është një situatë e përjetuar nga ne me Taulantin. Një lojtar që bën mirë, që është në qendër të kampionatit dhe golashënuesi i ligës. Natyrisht që do të ketë oferta në çdo moment dhe përderisa merkatoja ka dinamikë të veçantë gjithçka mund të ndodhë, por për momentin ai është tek ne dhe i fokusuar tek ekipi.”

Sfida Laçi-Tirana do të luhet të premten në orën 13:00. Bardheblutë ndodhen në vendin e dytë, 4 pikë larg Partizanit kryesues, ndërsa kurbinasit pozicionohen në vendin e gjashtë, 5 pikë larg Tiranës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb