Kryeministri i vendit, Edi Rama ka uruar mirëmëngjes të gjithë ndjekësit e tij në rrjetin social “Facebook” me rastin e një qytetari, i cili kërkoi punë gjatë bashkëbisedimit me qytetarët dy ditë më parë në Lushnjë.

“MIRËMËNGJES, dhe duke ndarë me ju fundin e episodit të pardjeshëm në Lushnjë, kur Agim Gjata kërkoi punë në takimin publik të bashkëqeverisjes, ju uroj një javë sa më të mbarë”, shkruan Rama.

Pas ankesës së një prej qytetarëve drejtuar kryeministrit të vendit, Edi Rama në takimin e bashkëqeverisjes në Lushnjë, qytetari Agim Gjata tha se kishte vende të lira por nuk e merrnin në punë.

Ndërkohë që kryeministri i premtoi se brenda 24 orësh mund t’i gjejë punë, por jo në shtet.

“Jam elektriçist, me arsim profesional. Unë jam hallexhi, jam në nevojë dhe nuk kam mundur të çoj as fëmijën tim në master se nuk kam mundësi”, u shpreh Agim Gjata.

Nga ana e tij, Rama iu përgjigj duke i premtuar punë jo në shtet por në kompani private, kjo sipas tij, jo përmes mikut por falë rolit të Zyrës së Punës. Ai tha gjithashtu se shumë qytetarë do të vazhdojnë të jenë pa punë përsa kohë presim që shteti vetë t’i sigurojë punë.

“Përsa kohë nuk do të përmbyset mentaliteti që punë të jep vetëm shteti, shumë njerëz do të jenë papunë. Në qoftë se do punë ti personalisht, 24 orë më duhet mua për të gjetur punë, ama jo në shtet. Po e deshe në privat, unë të garantoj që ti fillon punën. Unë nuk ta gjej punën nga ndonjë mik por me sistemin e zyrave të punës”, ka thënë kryeministri.

Por, çfarë ndodhi disa orë më pas?
Menjëherë pas përfundimit të takimit me kryeministrin, Agim Gjata u paraqit në zyrat e punës në Lushnjë për të plotësuar të gjitha të dhënat e tij, për të parë ofertat e mundshme të punës lidhur edhe me profesionin e tij si elektriçist. Kështu, përgjegjësja e Zyrës së Punës, i paraqiti një ofertë në një kompani private si mirëmbajtës i rrjetit elektrik, me pagë bruto 375 mijë lekë të vjetra, ku transporti mbulohet nga kompleksi dhe përfshirë edhe sigurimet shoqërore.

Pas kësaj procedure, Gjata u paraqit pranë kompanisë private së bashku me dokumentin e plotësuar dhe kartën e identitetit, i shoqëruar edhe nga një përgjegjës nga zyra e punës.

“Që nga mëngjesi i së dielës fillova punën, kjo falë zyrës së punës. Paga është e kënaqshme për mua”, është shprehur Gjata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb