Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet kushtetuese për heqjen e plotë të imunitetit për Kryeministrin dhe ministrat. Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar duke paralelizuar situatën në shtetin fqinj me atë në Shqipëri në këtë aspekt.

Duke hequr paralele me zhvillimet në Tiranë, Bardhi denoncoi se qeveria shqiptare ka ndjekur rrugën e kundërt. Ai solli në vëmendje se kur SPAK kërkoi pezullimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, Edi Rama propozoi ndryshime në Kodin e Procedurës Penale për t’i hequr mundësinë drejtësisë që të pezullojë funksionarët e lartë.

Sipas Bardhit, mbrojtja politike dhe refuzimi i mazhorancës për t’i hequr imunitetin Ballukut kanë dëmtuar procesin e integrimit, duke nxitur vendosjen e kushteve të reja nga Brukseli.

Kreu i grupit të PD-së nënvizoi se diferenca mes dy vendeve qëndron te vullneti politik për të luftuar korrupsionin.

“Dallimi mes Kryeministrit të Europës në Mal të Zi dhe Kryeministrit të Korrupsionit në Shqipëri është si dita me natën. Njëri i jep çdo liri drejtësisë, tjetri i vendos pengesa ligjore. Shqipëria nuk ka pse të mbahet peng nga halli personal i Edi Ramës. Interesi i vendit është të ecë përpara, ndaj ai duhet të largohet,” përfundoi Bardhi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb