Qeveria e Malit të Zi ka miratuar dokumentin zyrtar mbi nevojën e anulimit të marrëveshjeve dypalëshe që rregullojnë lëvizjen pa viza me Rusinë, Bjellorusinë dhe Turqinë, duke hedhur një tjetër hap drejt harmonizimit të plotë të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me standardet e Bashkimit Evropian.

Përmes ndryshimeve në Rregulloren për Regjimin e Vizave, të miratuara më 23 korrik, është përcaktuar se duke nisur nga 1 nëntori 2026, të gjithë shtetasit e Rusisë, Bjellorusisë dhe Turqisë do të duhet të pajisen me vizë për hyrje, tranzit apo qëndrim në territorin malazez.

Ekzekutivi malazez sqaroi se, për shkak se lëvizja e lirë rregullohet përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, ekziston nevoja e ndërmarrjes së hapave diplomatikë për shfuqizimin zyrtar të traktateve dypalëshe me të tria shtetet.

Lidhur me Turqinë, Podgorica zyrtare ka bërë me dije se do të ndërmarrë një nismë për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re dypalëshe. Kjo marrëveshje synon të ruajë regjimin pa viza vetëm për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale, me qëllim që të sigurohet vazhdimësia për këto kategori pa cenuar rregullat e Bashkimit Evropian.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb