FIER- Në rrugën që çan përmes fshatin e Marinzës, rreth 10 kilometra larg qytetit të Fierit, katër gra janë mbledhur bashkë për të ndarë fatin e keq dhe armiqësinë me Bankers Petroleum, kompaninë kanadeze që shfrytëzon prej 10 vitesh fushat që notojnë mbi naftë. Moti është i vrenjtur, por ajri të çan hundët nga era e gazit prej veze të prishur.

Gratë flasin me zë të lartë dhe janë të zemërura. E para qan hallin e të birit, që vuan prej 7 vitesh nga astma bronkiale. E dyta ka humbur të shoqin, Kito Gjata nga leuçemia dhe frikësohet për shëndetin e tre fëmijëve. E treta, nënë dhe gjyshe jeton me asistencë, që prej kohës kur i shoqi u sëmur nga tromboza në këmbë dhe humbi punën si naftëtar. Më e reja, Enkelejda Nushi është shtruar së fundmi në spital me të vjella dhe marrje mendsh për shkak të gazit që davaritet në ajër.

“Çdo shtëpi ka nga një të sëmurë dhe jeta po na shkatërrohet dita-ditës nga nafta,” thotë Enkelejda Nushi për BIRN.

Fshati i Marinzës me rreth 3 mijë banorë jeton mes sëmundjeve. Shumica e banorëve ankohet për probleme me frymëmarrjen, lëkurën apo veshkat. Sipas një raporti të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, i cili iu referohet punonjësve të qendrave shëndetësore, në zonë ka një shtim me 6 për qind të sëmundjeve kancerogjene.

Zona naftë-mbajtëse e Patos-Marinzës renditet e treta në listën e 31 hot-spoteve të identifikuara të vendit, që sipas Ministrisë së Mjedisit kanë nivel të lartë ndotjeje.

Megjithatë, është e vështirë të llogarisësh kostot e industrisë së naftës mbi jetën e banorëve të Marinzës dhe fshatrave përreth.

Prej vjeshtës së vitit 2014, Komiteti Shqiptar i Helsinkit është përpjekur të marrë përgjigje nga institucionet shtetërore për nivelin e ndotjes së ajrit dhe tokës në këtë zonë. Organizata ka kërkuar gjithashtu të dijë se si ndikon aktiviteti i kompanisë Bankers Petroleum në shëndetin e banorëve të zonës.

Kryetarja e KSHH, Vjollca Meçaj pohon se përgjigjet që kanë marrë nga autoritetet shtetërore janë zhgënjyese. “Kemi kërkuar shpjegime nga Ministria e Energjetikës dhe e Shëndetësisë, por gjithë sa kemi marrë janë justifikime,” thotë Meçaj.

“Nëse kompania dëmton jetën e banorëve, ajo duhet t’i dëmshpërblejë ata. Ndërsa shteti duhet të mendojë një zgjidhje afatgjatë për të siguruar shëndetin e tyre,” shton ajo.

Edhe pse pranon që zona është e ndotur, Bankers Petroleum i hedh poshtë akuzat që ndotja dhe rëndimi i shëndetit të banorëve të Marinzës janë pasojë e aktivitetit të saj.

Kompania ia faturon ndotjen e mjedisit kompanisë Albpetrol, që ka shfrytëzuar vendburimet e naftës që prej mesit të viteve ’50. Ajo pretendon se teknologjia e avancuar që përdoret aktualisht për nxjerrjen e naftës nuk shkakton ndotje.

“Situata që kemi trashëguar nga Albpetrol ka qenë shumë e rënduar. Kemi pastruar mbi 600 puse të vjetra nafte,” i tha BIRN-it zëdhënësja e kompanisë, Laura Dashi.

“Ka ende puse të trashëguara, që nuk janë pastruar,” shtoi ajo.

Edhe pse historia e ndotjes së zonës nga mbetjet e naftës është e gjatë, BIRN ka zbuluar se në tre vitet e fundit ka shtim të sëmundjeve që lidhen me cilësinë e ajrit.

Një raport i Institutit të Shëndetit Publik, i datës 11 nëntor 2014 vlerëson se gjatë viteve 2012-2014 ka rritje të rasteve me astmë bronkiale, bronkit kronik, emfizemë dhe kancer pulmoni në fshatrat Marinzë dhe Zharrës.

ISHP pohon se në këtë zonë, sëmundjet e astmës dhe bronkitit kronik kanë një frekuencë 5-7 raste për një mijë banorë. Emfizema dhe kanceri i pulmonit gjenden me një shpërndarje më të ulët; 1 rast për 1 mijë banorë.

Instituti i Shëndetit Publik vlerëson megjithatë se në tre vitet e fundit ka pasur rritje të rasteve për të katërta sëmundjet.

“Shpërndarja e sëmundshmërisë në këtë zonë tregon se prekshmëria më e lartë është në moshën mbi 60 vjeç si dhe ka tendencë rritje në 2014,” thuhet në raportin e ISHP.

Ajri i ndotur nuk matet

Shaban Nurka mbi të 60-at i ka sytë e skuqur dhe fytyrën e ënjtur, ndërsa fjalët i dalin nga fyti bashkë me një fishkëllimë të çjerrë. Ai ka punuar pwr 38 vite si naftwtar dhe vuan që herët nga një sëmundje e mushkërive.

“Jam i lodhur nga jeta. Vetëm humbasim dhe asgjë nuk fitojmë nga pasuria që mban nëntoka jonë,” thotë ai.

Nurka shkon herë pas here në qytetin e Fierit për vizita, por bën vetëm analizat e domosdoshme. Nuk ia mban xhepi të paguajë edhe për analizat që kontrollojnë nivelin e helmeve në gjak.

I moshuari vuan prej vitesh nga sëmundja e mushkërive. Megjithatë, ai ankohet se vitin e fundit është rënduar si pasojë e gazit të shpërndarë në ajër.

“Në mëngjes herët, një shtresë e trashë gazi ngrihet mbi tokë sa një bojë njeriu,” thotë Nurka për BIRN-in.

Ashtu si banorët e tjerë, edhe ai dyshon se sëmundja e tij vjen nga ndotja e shkaktuar prej industrisë së naftës. Nga aktiviteti i dikurshëm i Albpetrolit, por edhe nga shpimet masive të viteve të fundit nga Bankers Petroleum.

Në ambulancën modeste të Marinzës, e cila shërben vetëm për injeksione, mjekja e fshatit pranon heshturazi rëndimin e shëndetit të banorëve gjatw viteve tw fundit. Ajo është duke përgatitur një raport për Institutin Rajonal të Shëndetit Publik dhe thotë se nuk është e autorizuar të japë të dhëna.

“Pacientët me kancer i humbim shumë shpejt. Ndërsa me sëmundje respiratore ka shumë në fshat,” thotë shkurt ajo.

Instituti i Shëndetit Publik thotë se e ka të pamundur të vërtetojë lidhjen mes nivelit të ndotjes dhe rritjes së sëmundshmërisë në zonë.

Në shkresën e siguruar nga BIRN, Instituti i Shëndetit Publik pohon se nuk ka kapacitetet e nevojshme materiale dhe laboratorike për të monitoruar ndotësit e mundshëm nga aktiviteti i kompanive të naftës në zonë.

Nga 13 elementë të dëmshëm që emetohen në ajër nga industria e prodhimit të naftës, Instituti i Shëndetit Publik mund të monitorojë vetëm dy prej tyre. Në raport thuhet se ISHP mat elementët PM 10 dhe PM2 përmes aparaturave të vendosura në drejtorinë rajonale të Fierit. Megjithatë, të dhënat e përftuara nuk kanë domethënie specifike për zonat e Marinzës dhe të Zharrëzit.

ISHP rendit se ndotësit e tjerë nga burimet e naftës janë SO2, NOx, CO, VOC, Benzeni, 1,3-butadiene, naphthalene, fluor hidrogjeni, mërkur dhe H2S.

“Ndotësit e sipërpërmendur nuk mund të monitorohen nga institucioni ynë për mungesë aparaturash prej tre vjetësh,” thuhet në dokument.

“Një mungesë e tillë dhe mospasja e të dhënave për nivelin e ndotjes nuk na lejon të themi që ndotja ka ndikuar në rritjen e niveleve të sëmundshmërisë në këto zona,” shton ISHP.

Të nxitur nga kërkesa e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, edhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, AKBN ka dërguar në dhjetor 2014 një grup specialistësh për të verifikuar në terren operacionet hidrokarbure të kryera nga Bankers Petroleum.

“Duhet të pranojmë se një pjesë e madhe e popullatës dhe e punonjësve janë identifikuar pozitivisht të prekur nga sëmundje të ndryshme, të cilat vijnë si rezultat i ndotjeve me prejardhje nga hidrokarburet” thuhet në shkresën e AKBN.

“Ndotjet i përkasin periudhës së mëparshme, kur ende nuk ishin realizuar investimet për rehabilitimet mjedisore në vendburimin Patos-Marinzë,” thuhet më tej.

Zgjidhja e munguar

Vendburimet e naftës në Patos-Marinzë konsiderohen si një ndër pasuritë kryesore të Shqipërisë. Kompania Bankers Petroleum, që i shfrytëzon ato prej 10 vitesh deklaroi në vitin 2014 se prodhonte deri në 20 690 fuçi naftë në ditë, ndërsa kishte shënuar shifrën rekord të të ardhurave vjetore prej 583 milionë dollarësh. Ky bilanc e rendit Bankers Petroleum në kompaninë me xhiro vjetore më të madhe në vend.

Megjithatë, industria e naftës ka sjellë pak mirëqënie për banorët e zonës. Vangjel Prifti, një inxhinier mekanik në pension kujton se në vitin 1957 fshati u “përmbyt” nga nafta dhe gazi që shpërtheu si shatërvan nga toka për më shumë se 2 muaj.

Ai kujton se pemët u thanë dhe toka u dëmtua, ndërsa flakë të mëdha zjarri përfshinë zonën ku u zbulua nafta.

“Në atë kohë erdhi ushtria në fshat dhe banorët u shpërngulën nga shteti në fermën Çlirim. Por ata u kthyen sërish në tokat e tyre,” tregon Prifti.

Më 1 prill 2015, fshati i Marinzës kaloi në një situatë të ngjashme emergjence. Dy fontana 50 metra të larta me gaz dhe ujëra nëntokësore shpërthyen në oborret e banorëve, duke shtuar ankthin e tyre dhe rënduar ndotjen në mjedis.

Banorët dhe autoritetet shtetërore ia faturojnë këtë aksident kompanisë Bankers Petrolium, e cila shfrytëzon vendburimet e naftës në zonën Patos-Marinzë që prej vitit 2014.

Prokuroria e Fierit ka nisur një hetim për aksidentin, ndërsa autoritetet shtetërore kanë kërkuar dëmshpërblim për banorët e dëmtuar. Kompania kanadeze, Bankers Petroleum ka premtuar se një situatë e tillë nuk do të përsëritet më.

Shpërthimi i gazit më 1 prill është vetëm ana e dukshme e presionit që industria e naftës shkakton mbi banorët e zonës. Megjithatë, ky nuk ishte aksidenti i vetëm. Më 15 shtator 2014, në fshatin Vërri të Fierit kishte pasur shpërthim të gazit dhe të naftës mbi sipërfaqja, por ngjarja pati mbulim të vakët mediatik.

Kompania Bankers Petroleum i tha BIRN-it se do të dëmshpërblente 100 për qind banorët e dëmtuar nga aksidenti i 1 prillit dhe se po mendon një projekt afatgjatë për rehabilitimin total të zonës. Megjithatë, ajo kërkon që edhe pushteti lokal të luajë rolin e vet, me paratë që kompania paguan çdo vit si rentë.

“Kemi një projekt për rehabilitimin e plotë të zonës. Do të marrim për 2 vjet tokat me qera për t’i pastruar plotësisht,” tha zëdhënësja e kompanisë.

Pas monitorimit që Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore i bëri aktivitetit të kompanisë, arriti në përfundimin se në vendburim ka ende probleme që duhen zgjidhur në bashkëpunim me komunitetin.

“Ka ende rrjedhje të naftës që ndotin ambientin, ka rrjedhje në atmosferë të gazit dhe pluhura që lidhen me trafikun e dendur të automjeteve,” thuhet në raport.

“Kjo vjen edhe si rezultat i afërsisë që kanë zonat e banuara dhe banesat e veçanta me puset dhe infrastrukturën lidhëse,” thuhet në raport.

Komuniteti Shqiptar i Helsinkit u bën apel autoriteteve të shtetit që të marrin masa urgjente për të garantuar jetën dhe shëndetin e banorëve të zonës.

“Asnjë sipërmarrje ekonomike, sado me interes nuk mund e nuk duhet të lejohet në kurriz të të drejtave themelore të qytetarëve të vendit,” thotë Vjollca Meçaj për BIRN.

(d.d/Birn/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: