*VMRO-DPMNE do të mbajë një miting sot në Shkup

SHKUP- Kryetarët e katër partive kryesore në Maqedoni po zhvillojnë takimin e dytë për gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza politike në vend.

Në takimin mes Nikolla Gruevskit nga VMRO-DPMNE, Ali Ahmetit nga BDI-ja, Zoran Zaev nga LSDM dhe Menduh Thaçit nga PDSH janë të pranishëm edhe ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav.

Sipas agjencisë maqedonase të lajmeve INA, edhe takimi i dytë po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe nuk jepet asnjë detaj për mediat. Tentimi i ambasadorëve është që të ndihmojnë në arritjen e një kornize me prioritetet kryesore.

Ky takim vjen pas atij të javës së kaluar kur Gruevski, Zaev , Ahmeti dhe Thaçi arritën të miratojnë vetëm një deklaratë të shkurtër për vazhdimin e dialogut politik dhe mbajtjen e protestave të qeta dhe demokratike.

Javën e kaluar u paralajmërua se katër liderët po tentojnë që të miratojnë një kornizë me disa pika të rëndësishme përmes së cilës do të zhvillohet dialogu.

Ambasadori amerikan Baily në profilin e tij në “Tëitter” ka shkruar se “i gëzohem takimit të ri të liderëve”, informon INA. Nga ana tjetër, mësohet se Gruevski dhe Zaev nesër do të udhëtojnë në Strasburg për takime me eurodeputetë.

“Nuk kam asnjë informacion, përveç gatishmërisë sonë që të jemi aty kur na ftojnë miqtë tanë të bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi Zaev.

Dy kampet politike maqedonase vazhdojnë në qëndrimet e tyre, derisa opozita kërkon dorëheqjen e Gruevskit dhe formimin e qeverisë kalimtare, ky i fundit ka theksuar se nuk jep dorëheqje dhe se as që do të pranojë qeveri kalimtare. Analistët politik vlerësojnë se takimet e liderëve megjithatë kanë rëndësinë e tyre.

“Pjesëmarrësit në takimin e liderëve firmosën një deklaratë për protesta pa dhunë. Por përvoja ime tregon se nënshkrimet e shumta që janë dhënë në letra të ndryshme para 20 viteve, nuk kishin kontribuar në ndërprerjen e zjarrit. Stilolapsat nuk kanë pasur efekt dhe janë shlyer, ndërsa ngjarjet kanë eskaluar”, deklaroi Maleski, i cili apeloi për protesta të qeta dhe pa dhunë.

OPOZITA KALON NATEN NE TENDA PARA QEVERISE
Ora 09:21- Qindra përkrahës të opozitës në tenda dhe qiell të hapur kanë qëndruar përgjatë gjithë natës para qeverisë maqedonase. Protestuesit janë shoqëruar nga kryetari i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev dhe të gjithë drejtuesit e kësaj partie.

Zaev theksoi se do të vazhdojë protesta dhe qëndrimi para Qeverisë deri në dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski. Por ky i fundit në një intervistë për një televizion proqeveritar tha se nuk do të japë dorëheqje dhe as nuk do të pranojë një qeveri kalimtare.

Partia e tij ne pushtet VMRO-DPMNE ka vendosur qe të përgjigjet me një anti-protestë që do të mbahet sonte në mbrëmje në Shkup. Përfaqësuesi i kësaj partie, Ivica Konevski i bëri thirrje qytetarëve që ti bashkëngjiten protestës së tyre për një Maqedoni me të ardhme më të mirë.

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb