Në kuadër të kombinimit të teorisë me praktikën, universiteti “Luarasi” vijon traditën e leksioneve të hapura të zhvilluara nga ekspertët më të mirë në vend e më gjerë. Këtë të mërkurë, analisti shqiptaro-amerikan i çështjeve ballkanike, Agron Alibali mbajti leksionin me temë “Deti Jon si det i paqes dhe delimitimi i hapësirave detare me Greqinë”.

Vetë studentët e Fakultetit të Drejtësisë në “Luarasi” shfaqën interes për çështjen e diskutuan me ekspertin për paktin detar dhe zhvillimet më të fundit mbi negociatat e reja.

Analisti Agron Alibali tregon se në leksion janë ndërthurur më së miri analiza teorike me trajtimin praktik mbi marrëveshjet për detin. Ai e vlerëson Luarasin si një universitet që ndjek fuqishëm traditën e cilësisë dhe profesionalizmit.

“Është një bashkim i analizës teorike me trajtimin praktik për sa i takon marrëveshjeve që janë lidhur dhe ato që po diskutohen. Me universitetin ‘Luarasi’ kemi lidhje të ngushta. Është një universitet që e ruan traditën e fuqishme të cilësisë dhe profesionalizmit në përgatitjen e studentëve në të ardhmen”, thekson analisti.

Zhvillimi i leksioneve të hapura është një praktikë e mirëmenduar nga stafi akademik i Luarasit. Praktika të tilla bashkëkohore synojnë të sjellin te studentët eksperiencat më të mira, duke përgatitur kështu liderët e së ardhmes në tregun e punës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb