MAQEDONI-Eurodeputeja nga radhët e partisë opozitare greke, Demokracia e Re, Maria Spyraki përsëriti qëndrimin e partisë së saj kundër Marrëveshjes për emrin e Maqedonise. Spyraki nga Kuvendi i Maqedonisë theksoi se partia e saj dhe populli grek nuk pranon ekzistencën e popullit dhe gjuhës maqedonase. Ajo madje tha se Shkupi nuk është gati për në BE.

“Duhet t’ua sqarojmë qytetarëve të IRJM-së se përmbushja e kritereve të Kopenhagës janë parakushte që IRJM-ja të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Fuqishëm besoj, dhe e thashë edhe në këtë Kuvend, se IRJM-ja nuk është akoma gati për të marrë datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE. Si anëtare e Parlamentit Evropian dhe zëdhënëse e partisë “Demokracia e Re” mund të përsëris këtu para kamerave se në Greqi ne nuk njohim ekzistencën e kombësisë maqedonase dhe gjuhës maqedonase” – tha Maria Spyraki, Eurodeputete dhe anëtare e “Demokracisë së Re”.

Nga ana tjetër zv/kryetari i Parlamentit Evropian, Dimitris Papadimulis iu apeloi të gjithë deputetëve në Parlamentin e Athinës dhe atë të Shkupit që t’i tejkalojnë dallimet dhe ta mbështesin marrëveshjen, duke u shprehur “Patriotizmi nuk është nacionalizëm. Ta duash shtetin tënd nuk do të thotë se nuk duhet ta respektosh shtetin tjetër. Papadimulis i cili vjen nga radhët e partisë greke në pushtet, Syriza garantoi se Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet edhe në Kuvendin grek.

“Nuk kam asnjë lloj dyshimi. Jam i sigurt se nëse vendi juaj e ratifikon Marrëveshjen e Prespës dhe i bën të gjitha ndryshimet e nevojshme kushtetuese ashtu siç parashikohet me marrëveshje, Kuvendi grek do ta ratifikojë poashtu Marrëveshjen e Prespës. Dhe sipas deklaratës publike të Kryetarit të Kuvendit të Greqisë mund të ju them se kjo do të ndodhë më së voni marsin e ardhshëm”– deklaroi Dimitris Papadimulis, Zv/kryetari i Parlamentit Evropian.

Ai gjithashtu garantoi se Parlamenti Evropian do ta mbështesë Maqedoninë në rrugën drejt integrimit në BE. Eurodeputetët Papadimulis dhe Spyraki po qëndrojnë në Shkup për komitetin e përzier parlamentar mes Maqedonisë dhe Bashkimit Europian, njofton Alsat M.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb