Përfaqësues  të PDIU dhe anëtarë të Shoqërisë Civile kanë mbajtur një takim lidhur me shqetësimet e kohëve të fundit për çëshjen e detit dhe një marrëveshje të mundshme me Greqinë.

Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi tha se Shqipëria duhet të negociojë me Greqinë, por vetëm për shelfin kontinental apo për zonën ekonomike ekskluzive, teksa theksoi se për detin e brendshëm territorial s’ka debat.

Po ashtu Idrizi theksoi se nga pala shqiptare nuk ka transparencë, teksa kujton se në 2018 Kotzias e deklaronte marrëveshjen gati, më pas Tsipras premtonte se do të zgjeronte me 12 milje ujërat greke në detin Jon, dhe tani e bën Mitsotakis.

Për Idrizin marrëdhëniet e mira Shqipëri-Greqi mund të vendosen vetëm me reciprocitet dhe duke trajtuar të gjitha çështjet problematike, filluar nga çështja çame, ligji i luftës dhe deti.


”Vetëm reciprociteti mund të çojë në një normalizim të marrëdhënieve Shqipëri- Greqi. Tjetër, duhet të hiqet ligji i luftës. Si dhe çështja çame që duhet të dihet, nuk ishte aksident i vitit 1944.

 

Dua të ndaj qartësisht me ju, atë që Gjykata Kushtetuese në 2010 bëri të qartë. Shqipëria duhet të negociojë me Greqinë për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike.

Në 2009 nuk ndante shelfin kontinental, por ndan ujërat e brendshme dhe territoriale. Në to shteti shqiptar ushtron sovranitet.

Nuk ka debat për detin e brendshëm territorial. Ky është dokumenti, që tregon se kufijtë detarë janë të delimituar.

Prandaj GJK thotë që diskutimi për delimitimin është i gabuar. Duhet të theksoj dhe një fakt, po të shohim dhe vendimin e Arbitrazhit, e përcaktuar qartë kufijtë ujore territorialë. Dhe u pa që minat në incidentin me Anglinë ishte në ujërat shqiptare.

Kujtoj që në tetor të 2018, Kotzias thoshte që marrëveshja ishte gati. Po dhe kryeministri i kohës, Tsipras tha se do e sillte në Kuvend projektin për zgjerimin në 12 milje në detin Jon, por u tërhoq nga ajo. Tani e bën Mitsotakis. Kjo solli shqetësim. Ne nuk kemi asnjë transparencë nga pala shqiptare. E marrim vesh nga pala apo mediat greke.”- tha Idrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb