TIRANË

Analisti Fatos Lubonja e sheh marrëveshjen mes Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë si një tregues i funksionimit të opozitarizmit të vërtetë.

Lubonja tha në “Opinion” në News24 se nuk beson se e kanë aq të lehtë, por mund të ishte efikas një frenim.

“Mendoj që është një marrëveshje që mund të funksionojë si një lloj opozitarizmi i vërtetë, jo i shtirur, jo i blerë nga Rama, gjer këtu. Pastaj se sa është një marrëveshje e ndershme për t’i mbajtur premtimet popullit shqiptar pasi bëjnë këtë, me të gjitha ato që do bëjnë mbrapa sikur të marrin pushtetin, kjo sigurisht që ka firot e veta. Se besoj se kur të marrin pushtetin, këta mund të jenë, do mbajnë fjalën siç nuk e ka mbajtur fjalën Erion Veliaj me Edi Ramën për Tiranën. Dëgjon se si i është marrë fryma Tiranës, se sa të fortë mund të jenë këta për të ndaluar gjithë këtë krim të organizuar dhe për të ndërtuar një alternativë tjetër nga ky përdorimi i Tiranës si industria e vetme që ekziston në Shqipëri për të punësuar njerëz, për të shpërndarë para nëpërmjet parave të drogës këtë nuk e dimë. Kjo që po ndodh këtu është një skandal. Nuk besoj se e kanë aq të lehtë. Por gjithsesi, mendoj që mund të ishte efikas një frenim. Po qarkullojnë ca fjalë që do ndërtohen ca kulla të tjera nga 68 kate. Hajde merre vesh se çfarë po bëhet në këtë Shqipëri”, tha ai.

Sa i përket kandidaturave për Tiranën, ai deklaroi se duhet një kandidat i një fronti të përbashkët për të shpëtuar atë që ka mbetur nga kryeqyteti.

“Mendimi im ka qenë që duhet një kandidat i një fronti të përbashkët, për të shpëtuar dhe Tiranën, megjithëse se di çfarë i ka ngelur për të shpëtuar, por gjithsesi për ta frenuar këtë çmenduri. Duhej një front, ky front nuk është krijuar siç e kemi parë. Ata të PD-së, për pjesën e Lulzim Bashës që janë jashtë loje; Shoqëria civile, njerëz që kanë rezistuar, kanë mbrojtur parqet janë zhdukur, do duhej një front më i gjerë. Në këto kushte kemi ngelur te këto dy forca që kanë nxjerrë këtë kandidat, djalë i ri. Kryetari i Bashkisë nuk ka qenë asnjëherë Erion Veliaj dhe nuk është as sot. Ai është një zar i Edi Ramës. Ai premtoi zero ndërtime dhe jam i bindur që ai edhe mund të kishte seriozisht zero ndërtime, por shefi i tij që e vuri se e dinte që e kontrollon këtë ndërroi projektin komplet dhe ky jesmen që i është mirënjohës Edi Ramës se pa atë nuk do vinte aty, bëri atë që do Edi Rama. Problemi i Këlliçit përsëri është ky.
Mirë që u bënë primaret, por po u vu Këlliçi, do thonë e vunë se e deshi Berisha këtë. Këta kanë nxjerrë nja tre emra që mendojnë se mund të jenë më…është dhe doktori. Do bëjnë primaret me këta. Më mirë që të jenë këta të tre se sa një (Alimehmti, Bogdani e Këlliçi). Të tre janë figura që do t’i jenë mirënjohës liderit që i ka zgjedhur dhe nuk mund të kenë personalitetin që nëse do premtojnë zero ndërtime si ai tjetri do t’i ngelen zero premtime dhe po t’i thotë lideri, këtij duhet t’i japim gjysmën e liqenit, kullën këtu, kullën atje.
Të dalë dikush të thotë mua më ka zgjedhur populli i Tiranës, nuk më ke zgjedhur ti dhe unë do bëj këtë. Kaq i kam kërkuar dhe Veliaj atëherë”, tha ai.

Lidhur me fashën 800 kilovatë që hyn në fuqi më 1 nëntor, Lubonja u shpreh se
kjo është mënyra se si ka vepruar Rama, një hap prapa, dy hapa para drejt qëllimit që nuk e ndryshon.
“Qëllimi është ai, duhen para, por kur e sheh dale tërhiqemi pak, sa t’u bëjë një mashtrim të vogël. Sa herë është bërë kështu me studentët, pedagogët. Sa herë i duhet ndonjë gjë, kur e ndjen që prit se këtu edhe mund… hajt tua fusim pak shtrembër këtyre që ta hanë, mos e hanë direkt. I ka dalë mirë apo keq, varet nga sistemi i vlerave”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: