Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Kosovës ka marrë vëmendjen e agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters.

Reuters raporton se Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë, vetëm një votë më shumë se shumica e nevojshme për zgjedhjen e saj.

Agjencia thekson se dështimi për zgjedhjen e presidentit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Pas zgjedhjes, Shiroka-Pula deklaroi se mandati i saj i përket të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve”, citohet të ketë thënë ajo.

Reuters e lidh zgjedhjen e saj me marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti dhe Partisë Demokratike të Kosovës, e cila përfshinte edhe ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në artikull përmenden edhe protestat e zhvilluara të hënën, gjatë të cilave Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e protestuesve që kërkonin kufizimin e kompetencave të Dhomave të Specializuara.

Reuters kujton gjithashtu aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Agjencia e përshkruan postin e presidentit në Kosovë si kryesisht ceremonial, ndërsa thekson se zgjedhja e kreut të shtetit ka qenë në të kaluarën burim i paqëndrueshmërisë politike.

Shiroka-Pula përshkruhet nga Reuters si ekonomiste, profesoreshë e ekonomisë dhe kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: