Protesta e 38-të radhazi kundër pushtetit ka vijuar përgjatë mbrëmjes së sotme me një marshim masiv dhe kilometrik të qytetarëve nëpër rrugët e kryeqytetit, duke përcjellë mesazhe të ashpra dhe të prera ndaj mazhorancës dhe të gjithë klasës së vjetër politike.
Qindra protestues janë rreshtuar në formë kolone duke përshkuar disa nga akset kryesore të Tiranës. Marshimi ka nisur nga pika e qëndresës përpara Kryeministrisë, për të vijuar më pas drejt zonës së ish-Bllokut, Gardës së Republikës, dhe ka kulmuar me ndalesën në sheshin “Nënë Tereza”. Përgjatë gjithë këtij itinerari, protestuesit kanë brohoritur pa rreshtur sloganet që tashmë janë kthyer në “hitet” e kësaj kryengritjeje 38-ditore, duke thirrur në unison: “Rama n’burg, Berisha n’burg!”.
Përveç mesazheve drejtuar krerëve të politikës, qytetarët e revoltuar kanë shpërthyer në thirrje edhe ndaj makinerisë shtetërore të kontrollit dhe atyre që tentojnë të intimidojnë pjesëmarrësit në tubime, duke bërë që rrugët e Tiranës të jehojnë nga koret “poshtë patronazhistët!”. Qëndresa qytetare ka rikonfirmuar edhe një herë vendosmërinë e saj të palëkundur, duke përsëritur në çdo hap thirrjen kryesore të kësaj lëvizjeje: dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.
