Atmosfera në rrugët e kryeqytetit ka arritur kulmin e saj të tensionit dhe emocionit. Marshimi masiv i qytetarëve, i cili nisi menjëherë pas fjalimeve të zjarrta përpara Kryeministrisë, po vijon me një furi të jashtëzakonshme përgjatë akseve kryesore të Tiranës.

Zërat e protestuesve po lëshojnë thirrje që po bëjnë jehonë mes pallatave: “Rama jepe dorëheqjen!” dhe “Ju erdhi fundi!”. Turma po marshon e vendosur, e mbështetur hap pas hapi nga forca të shumta policore që kanë blinduar pikat kyçe.

Përgjatë rrugëtimit të turmës, ka ndodhur një skenë mjaft prekëse që ka sjellë ovacione dhe duartrokitje të gjata nga qytetarët në rrugë.

Një i moshuar, i prekur nga revolta dhe qëndresa e të rinjve, ka dalë në ballkonin e shtëpisë së tij duke mbajtur një flamur me simbole kombëtare. Ai ka përshëndetur me dorë dhe ka valëvitur flamurin kombëtar në shenjë solidarizimi të plotë me kauzën e protestës, një gjest ky që u prit me thirrje entuziaste nga të gjithë pjesëmarrësit poshtë ballkonit të tij.

Ky moment ka rritur edhe më shumë moralin e protestuesve, të cilët e shohin mbështetjen e qytetarëve nga dritaret dhe ballkonet si një tregues se revolta 37-ditore ka prekur çdo familje shqiptare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb