Marshimi i nisur pas përfundimit të fjalimeve përballë Kryeministrisë po vijon me forcë, energji të lartë dhe një vendosmëri të palëkundur nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.

Protestuesit e shumtë po përshkojnë akset kryesore të Tiranës, duke krijuar një atmosferë mjaft të tensionuar por të kompaktësuar. Me thirrje të njëpasnjëshme që jehojnë mes ndërtesave, turma po demonstron se aksioni qytetar ka kaluar në një nivel më të lartë mobilizimi.

Vendosmëria e protestuesve reflektohet në vazhdimësinë e marshimit, ku asnjë hap prapa nuk po bëhet pavarësisht pranisë së shumtë të forcave të rendit që po shoqërojnë lëvizjen e turmës.

Gjatë përshkrimit të itinerarit, marshuesit janë ndalur pranë disa prej institucioneve kryesore shtetërore, ku tonet e protestës janë ashpërsuar edhe më shumë.

Thirrjet “Ju erdhi fundi!”, “Rama jep dorëheqjen!” dhe kërkesat e prera për organet e drejtësisë për arrestimin e drejtuesve të kabinetit qeveritar po dëgjohen në mënyrë të fuqishme e me kor nga të gjithë pjesëmarrësit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb